Gjykata Kushtetuese nesër (17.09.2025) do të shqyrtojë Rregulloren e KSHZ-së për procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve dhe caktimin e noterëve për zgjedhjet lokale 2025. Shoqata “Kongresi Botëror Maqedonas” dhe Stevçe Stojanov e kanë kundërshtuar këtë akt, duke pretenduar se shkel Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Ata thonë se KSHZ ka tejkaluar kompetencat e saj duke vendosur kushte të reja për mbështetjen e listave të kandidatëve nga grupet e votuesve, siç është kërkesa për të paktën dy nënshkrues. Sipas tyre, këto rregulla mund t’i përcaktojë vetëm Kuvendi, jo një organ administrativ. Gjykata do të vlerësojë nëse kjo Rregullore është kushtetuese apo jo, transmeton Portalb.mk.
“Për shkak të interesit të madh të opinionit publik, Gjykata informon se në seancën që do të mbahet nesër (17.09.2025) parashikohet të diskutohet lënda në të cilën është kundërshtuar Rregullorja për rregullimin e procedurës së mbledhjes së nënshkrimeve për mbështetjen e listave të kandidatëve të paraqitura nga grupi i votuesve dhe mënyrën e caktimit të noterëve, për zgjedhjet lokale 2025 nr.08-1708/1 nga 17.08.2025 e miratuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ)”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.
Parashtruesit janë Shoqata “Kongresi Botëror Maqedonas” nga Shkupi, e përfaqësuar nga kryetari Todor Petrov dhe Stevçe Stojanov.
Në iniciativën e paraqitur nga Shoqata “Kongresi Botëror Maqedonas”, parashtruesi thekson se me miratimin e Rregullores së kontestuar është bërë shkelje e Kodit Zgjedhor dhe nenit 8 paragrafi 1 alineat 3 dhe 5, neneve 22, 23, 51, 54, 61 dhe 68 paragrafi 1 alineat 2 të Kushtetutës. Parashtruesi pretendon se megjithëse afatet zgjedhore janë në zhvillim, KSHZ ka vepruar jashtë kompetencave të veta dhe me akt nënligjor ka përcaktuar kushte për realizimin e së drejtës zgjedhore të qytetarëve për të marrë pjesë në ushtrimin e funksioneve publike.
“Në iniciativën e paraqitur nga Stevçe Stojanov thuhet se me Rregulloren e kontestuar janë shkelur neni 8 paragrafi 1 alineat 3, nenet 51, 61 dhe 68 paragrafi 1 alineat 2 të Kushtetutës. Sipas asaj që është theksuar në iniciativë, në pikën 4 të Rregullores, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka rregulluar normën për mbështetjen e listës së kandidatëve për anëtarë të këshillit, gjegjësisht listën e kandidatit për kryetar komune të paraqitur nga “grupi i votuesve” e cila duhet të nënshkruhet nga të paktën dy votues, dhe me këtë rregullim KSHZ ka dalë jashtë kornizave ligjore dhe është vënë në rolin e ligjvënësit”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Kushtetuese.
Kujtojmë që më 17 gusht Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi që dy nënshkrime nga dy zgjedhës do të jenë të nevojshme që kandidatët e pavarur për këshilltarë dhe kryetarë komunash të mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që duhet të mbahen në tetor.
Zgjedhjet lokale do të të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë.