Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut të mërkurën do të diskutojë për fatin e “Balancuesit” për punësimet me çelës etnik

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka caktuar seancë për vendimin përfundimtar në lidhje me softverin për punësime me çelës etnik, të quajtur “Balancues” i cili kohë më parë u vëndos në pauzë, transmeton Portalb.mk. Në bazë të këtij softueri përcaktohen punësimet sipas përkatësisë etnike, me qëllim që të balancohet përfaqësimi i etniteve nëpër institucione publike në vend.

Seanca është caktuar për më 9 tetor 2024, me fillim nga ora 09:30.

Gjykata Kushtetuese më 18 shtator 2024 vendosi masë të përkohshme për moszbatimin e dispozitave të “Balancues-it”, gjegjësisht nga kjo datë e këndej, në shpalljet për punësim ka vetëm kritere bazë për punësim dhe nuk ka kriter të përfaqësisë etnike, gjegjësisht nuk kërkohet më maqedonas, shqiptar, apo dikush nga ndonjë komunitet tjetër më i vogël.

“Të kontestueshëm janë neni 19 paragrafi 1 pika 1 në nenin “përkatësia” të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, neni 36 paragrafi 1 paragrafi 1 në nenin “dhe përkatësia e” të Ligjit për nëpunësit administrativ dhe neni 2 paragrafi 1 alineja 8 dhe neni 3 alineja 1 në pjesën “përkatësia” nga Rregullorja për elementet e detyrueshme të shpalljes publike për plotësimin e pozitës në sektorin publik përmes punësimit dhe të aplikimit për punësim, si dhe formën, përmbajtjen dhe mënyrën e mbajtjes së regjistrit të personave që kanë dhënë informacion të rremë gjatë punësimit në sektorin publik, në pjesën “përkatësia e komunitetit”, u kumtua nga Gjykata Kushtetuese.

Vendimi erdhi pas një debati të gjatë mes gjykatësve të kushtetueses, të cilët kishin qëndrime të ndara. Në diskutime, kundër u deklaruan tre gjykatësit Osman Kadriu, Naser Ajdari dhe Fatmir Skender, kurse gjykatës të tjerë kontestonin pjesërisht nismën duke thënë se duhet t’i jepet hapësirë Kuvendit të gjejë mekanizëm tjetër për t’u respektuar norma kushtetuese për përfaqësim të drejtë etnik, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Administratës Publike më 30 shtator dërgoi udhëzim nëpër institucionet shtetërore që procedura për punësim në institucionet e sektorit publik mund të vazhdojë nëse në shpalljen publike nuk shënohet përkatësia e komunitetit të kandidatit dhe kandidati nuk obligohet të tregojë përkatësinë e tij në komunitet.

“Procedura tashmë e filluar për punësim në institucionet e sektorit publik ndërpritet nëse shpallja publike është bërë në përputhje me aktet, gjegjësisht dispozitat e përfshira në pikën 1 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, d.m.th nëse në shpalljen publike theksohet përkatësia ndaj një komuniteti, ose nëse kandidati detyrohet që në aplikacion të tregojë përkatësinë në një komunitet”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni), foto: Portalb.mk

Shfuqizimin e “balancuesit” e kërkoi Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK)

Lënda për “balancuesin” u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse me të bëhen abuzime gjatë punësimit.

Sipas kërkuesit të iniciativës (KSHPK), zbatimi i dispozitave ligjore të kontestuara kërcënon liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit, shprehjen e lirë të përkatësisë kombëtare, përfaqësimin e duhur dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e qeverisjes shtetërore dhe të institucioneve të tjera publike dhe të sundimit të ligjit të garantuar me dispozitat e Kushtetutës.

“Përkatësia është ndjenjë personale e qytetarit dhe si e tillë mund të jetë e ndryshueshme. Përkatësia në një komunitet nuk është kusht i përgjithshëm dhe as i veçantë për punësimin e nëpunësve administrativë i paraparë me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik, as me Ligjin për zyrtarët administrativ, dhe në thelb është parakusht eliminues për paraqitjen e një konkursi publik për punësim në sektorin publik, gjë që cenon parimin e kompetencës të përcaktuar në Ligjin për punonjësit e sektorit publik.” shkruhet në iniciativën e KSHPK-së dërguar në Gjykatën Kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

Reagime politike

Më 1 tetor, nga koalicioni VLEN për Portalb.mk thanë se “Propozim ligji për përfaqësim të drejtë është gati”. Ndryshe nga deklaratat e tyre, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev thotë se në kuadër të ministrisë nuk po përgatitet zgjidhje e re ligjore që ka të bëjë me përfaqësimin e drejtë.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nga 18 shtatori e këndej kanë reaguar nga “Fronti Europian” dhe VLEN-i duke e akuzuar njëra-tjetrën.

“Ky vendim është frymëzuar nga nevoja e dukshme e strukturave kriminale të pushtetit të kaluar për të krijuar probleme ndëretnike dhe për të destabilizuar marrëdhëniet e brendshme në shtet”, reaguan nga VLEN-i, duke kundërshtuar vendimin për shqyrtimi ne kushtetutshmërisë së “balancuesit”.
Ata theksojnë se të gjithë gjykatësit që vendosën sot në Gjykatë, janë zgjedhur me votat e BDI-së.

“VLEN tashmë po punon për zgjidhjen e problemit të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucione, por në mënyrë adekuate të sistemuar dhe të kodifikuar. VLEN do ta zgjidhë këtë problem me një ligj të ri, që tashmë është në proces të përgatitjes”, paralajmëroi VLEN.

“Fronti Europian” paralajmëroi që prej nuk do të ketë vende pune të garantuara për shqiptarët dhe bashkësitë tjera joshumicë.

“Pas paralajmërimeve të përfaqësuesve të Qeverisë monoetnike, Mickoski, Dimitrievski, Taravari, sot Gjykata Kushtetuese realizoi një hap të madh nga projekti për deshqiptarizimin e shtetit. Vendimi i sotëm për ndërprerjen e Balansuesit është goditje për një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat”, vlerësoi Fronti.

Fronti vlerësoi që sot u zbulua kush dëshiron ta destabilizojë vendin, duke llogaritur që vendi tash është kthyer 24 vjet mbrapa.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka vlerësuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të komentohen.

Ministri i Administratës Publike Goran Minçev. Foto: Ministria e Administratës

Minçev ndryshoi llogaritjet për Balancuesin të bëra nga ministri paraprak: Përqindja e maqedonasve rritet, e shqiptarëve ulet

Ministri i Administratës Publike Goran Minçev më 27 korrik tha se janë ndryshuar përqindjet e “balancuesit”.

Në gusht 2022, ministri i atëhershëm Admirim Aliti bëri një përllogaritje të re, duke numëruar diasporën nga regjistrimi i vitit 2021 dhe rriti përqindjen e punësimit të shqiptarëve në 29.54%.

Por sipas përllogaritjeve të reja, në planet vjetore të punësimit në institucionet e sektorit publik, korrigjohen përqindjet: maqedonas nga 54,21% në 58,44%, shqiptarë nga 29,52% në 24,30%, turq nga 3,98% në 3,86%, romë nga 2,34%. në 2,53%, serbët nga 1,18% në 1,30%, për boshnjakët mbetet njëjtë dhe vllehët nga 0,44% në 0,47%.

Ish ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në fund të majit 2023, nënshkroi një udhëzim me çka do të vendosej përkatësia etnike në dokumentet e gjendjes civile me qëllim që “të mos keqpëdoret balancuesi”. Por, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi këtë udhëzim në fund të muajit shkurt të këtij viti.

BalancuesiGjykata Kushtetuese RMV