Gjykata hodhi poshtë ankesat: Babai i Vanjës së vrarë do të gjykohet për rrëmbimin e vajzës së tij

Së shpejti do të fillojë gjykimi për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski, pasi Gjykata Penale e ka vlerësuar pozitivisht akuzën e ngritur nga prokuroria e Shkupit një muaj më parë, transmeton Portalb.mk.

Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të aktit si dhe kundërshtimeve të parashtruara kundër akuzës nga mbrojtja e të akuzuarit, mori vendim me të cilin – Refuzohen si të pabazuara kundërshtimet e mbrojtjes, dhe aktakuza miratohet në tërësi.

“Në bazë të aktakuzës së miratuar është formuar lënda penalo-juridike e cila sipas sistemit AKMIS do të ndahet për procedim të mëtutjeshëm, për të cilën, duke vlerësuar interesin publik për rastin, publiku do të njoftohet menjëherë”, njoftoi gjykata.

Lidhur me disa pyetje gazetareske për procedurën ndaj të dyshuarit të parë për vrasjen e dyfishtë L.P. (Ljupco Palevski-Palço) gjykata njofton opinionin se procedura është ende në fazën hetimore të prokurorisë.

Sipas asaj që është paraqitur deri më tani nga hetimi, 14-vjeçarja Vanja Gjorçevska është rrëmbyer në Shkup më 27 nëntor 2024 rreth orës 7:20 të mëngjesit kur ka dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë. Sipas hetimeve, Palevski së bashku me Keshishovin, Manevskin dhe Videvskin e kanë marrë dhe e kanë lidhur në hyrje të objektit, e kanë futur në thes dhe më pas në veturën e 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski, i cili u vra pesë ditë më parë.

Vanja u vra në të njëjtën ditë, më 27 nëntor 2023, ndërsa trupi i saj u gjet më 3 dhjetor në fshatin Brazda në periferi të Shkupit. Makina e djegur u gjet jo shumë larg. Palevski u largua nga vendi tre ditë pas vrasjes, ndërsa Keshishov, Manevski dhe Videvski pas arrestimit e pranuan krimin dhe e dërguan policinë në vendet ku ishin varrosur Vanja dhe Zhezhovski.

Ljupço Palevski-Palço dyshohet se ka planifikuar, organizuar dhe kryer dy vrasje. Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vllatko Keshishev dyshohen për rrëmbim dhe dy vrasje. Aleksandar Gjorçevski, babai i Vanjës së vrarë, dyshohet se i ka dhënë informacion Palços për kohën kur vajza e tij del nga ndërtesa dhe shkon në shkollë. I dyshuari i fundit është Stefan Dimkovski, i cili u arrestua sepse dyshohet se e ndihmoi Palçon të arratisej nga Beogradi në Turqi.

Gjykata Themelore Penale Shkupi 1Vanja Gjorçevska