Gjithsej 4.483 banorë të Gostivarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të problemeve me stomakun, 4 pacientë janë të hospitalizuar

Ministria e Shëndetësisë ka informuar se gjendja epidemiologjike në Gostivar shënon përmirësim të ndjeshëm dhe rënie të vazhdueshme të numrit të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, transmeton Portalb.mk.

Gjatë ditës së djeshme, në Spitalin e Përgjithshëm dhe në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë kryer gjithsej 36 kontrolle, që është 37 më pak krahasuar me ditën paraprake, kur ishin regjistruar 73 kontrolle.

Aktualisht, në spital janë të hospitalizuar katër pacientë.

Që nga fillimi i monitorimit, në të dy institucionet shëndetësore janë kryer gjithsej 4.483 kontrolle.

Institucioneve kompetente u janë dorëzuar 1.014 raportime formale për sëmundje infektive, ndërsa janë përpunuar 706 anketa të reja epidemiologjike, me çka është arritur mbulim prej 70 përqind.

Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.

Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.

Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.

GostivariMinistria e Shëndetësisë (MSH)