Gjermania miratoi 800 milionë euro armë për Izraelin, ndërsa Belgjika kundërshtoi përdorimin e aseteve ruse për Ukrainën

Gjermania ka miratuar eksporte pajisjesh ushtarake me vlerë rreth 800 milionë euro drejt Izraelit gjatë gjysmës së parë të këtij viti, sipas mediave gjermane, raporton Euronews. Shifra është zbuluar nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjisë, pas një kërkese parlamentare nga Partia e Majtë. Lejet e eksportit të miratuara nga janari deri në qershor janë rreth katër herë më të larta se vlera totale e miratuar për Izraelin gjatë vitit 2025.

Pjesa më e madhe e eksporteve lidhet me projekte të mëdha mbrojtëse, përfshirë një nëndetëse të ndërtuar në Gjermani. Lejet përfshijnë gjithashtu armë të vogla, municione, eksplozivë dhe dronë.

Rritja e eksporteve vjen pas heqjes së kufizimeve të pjesshme nga qeveria e kancelarit Friedrich Merz në nëntor të vitit 2025.

Belgjika ka kundërshtuar një përpjekje të re të disa vendeve të Bashkimit Evropian për të përdorur asetet e ngrira të Bankës Qendrore Ruse për financimin e mëtejshëm të Ukrainës.

BE-ja mban rreth 210 miliardë euro në asete ruse të bllokuara, shumica e të cilave ruhen në Euroclear në Bruksel. Nisma është mbështetur nga Suedia, Holanda, Spanja dhe Polonia, ndërsa edhe vendet baltike kanë shprehur mbështetje.

Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, tha se Belgjika mbetet kundër përdorimit të këtyre aseteve, duke paralajmëruar për “rreziqe shumë të konsiderueshme” dhe pasoja të mundshme financiare për vendin dhe eurozonën.

Brukseli argumenton se asetet ruse duhet të mbahen të ngrira deri në arritjen e një marrëveshjeje paqeje, në mënyrë që ato të përdoren si mjet presioni ndaj Moskës për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në Ukrainë.

ArmëBelgjikaGjermaniaIzraeliLufta në UkrainëSanksione ndaj RusisëUkraina