Geer: E kam parë deklaratën e Frontit Evropian, presim formimin e një qeverie të qëndrueshme dhe reformatore

Presim formimin e një Qeverie të qëndrueshme, e cila do t’i çojë përpara reformat për qasje në BE dhe do të bashkëpunojmë me të gjithë. Kështu ka deklaruar sot ambasadori i BE-së në RMV, David Geer i pyetur për deklaratën politike të Frontit Evropian në lidhje me qeverinë e ardhshme të RMV-së, shkruan Portalb.mk.

“Kam pasur mundësinë të shikoj deklaratën. Nuk do t’ju befasoja nëse them se nuk do të ishte e përshtatshme që unë si ambasador të komentoja për politikën e brendshme, por do ta bëj një koment. Para së gjithash misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve dha konkluzat preliminare se zgjedhjet u zhvilluan në mjedis demokratik dhe të qetë. Sigurisht ne presim raportin përfundimtar të zgjedhjeve dhe në këtë kontekst ne presim formimin sa më të shpejtë të një qeverie të qëndrueshme, të aftë për të çuar përpara reformat e nevojshme për ta sjellë këtë vend në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Ne do të punojmë me të gjithë që bashkëpunon në këtë qëllim, të arrihet qasja në BE sa më shpejt. Ne i shohim të gjithë ata që janë të përkushtuar për këtë qëllim gjatë zgjedhjeve, pra vazhdimin e mbështetjes së Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së”, tha Geer.

Geer mes tjerash foli edhe për marrëveshjet ndërkombëtare të RMV-së me fqinjët dhe rrugëtimin eurointegrues.

Me 2 qershor 2024 Fronti Evropian bëri publike deklaratën e tyre politike të dedikuar të gjitha institucioneve vendore si dhe ndërkombëtare evropiane dhe botërore, në lidhje me situatën politike në vend.

Sipas tyre, ky është hapi i parë i veprimit të këtij koalicionit për të treguar se në çfarë drejtimi rrezikohet “Marrëveshja e Ohrit”, dhe se me hapat që do të ndërmarrin më tej do të luftojnë majorizimin që po e bën partia maqedonase VMRO-DPMNE si formuese e qeverisë së ardhshme në Maqedoninë e Veriut, duke marrë në këtë qeveri koalicionin VLEN.

Mos respektimi i legjitimitetit mundëson etablimin e hegjemonisë etnike dhe paraqet poshtërim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve. Ky majorizim monoetnik, që shkel mbi legjitimetin e komuniteteve tjera etnike, rëndon bashkëjetesën, demokracinë dhe nuk duhet të lejohet nga të gjithë ne bashkërisht”, thuhet mes tjerash në deklaratë.

VLEN-VMRO finalizojnë marrëveshjen qeveritare

Rikujojmë se pas zgjedhjeve të 8 majit, në kampin maqedonas VMRO-DPMNE doli fituese me 58 deputetë ndërsa në kampin shqiptar Fronti Evropian së pari me 19 deputetë por pas rivotimit me 22 maj mbeti me 18 deputetë. 

Megjithatë, VMRO-DPMNE ka njoftuar se Qeveria e re pritet të formohet deri më 20 qershor jo me fituesin e kampit shqiptar, por me koalcionin shqiptar VLEN që kishte 13 deputetë por që fitoi një më shumë pas rivotimit, konkretisht ka 14 deputetë.

Në këtë drejtim, negociatat midis grupeve punuese të partive janë drejt fundit. VLEN gjithashtu ka bërë të ditur një pjesë të resorëve të cilat pritet t’i udhëheqin.

Fonti Evropian kundërshton këtë veprim duke e quajtur “majorizim” nga pala maqedonase sepse po merret në pushtet partia me më pak deputetë, dhe ka lajmëruar se do të ndërmerr masa për të ndaluar këtë.

Çfarë është majorizimi?

Majorizimi politik është një term që përdoret për të përshkruar një situatë në të cilën një grup politik apo parti e caktuar përdor shumicën numerike të saj për të dominuar dhe vendosur politika, shpesh duke injoruar apo shtypur zërat e minoriteteve ose grupet e tjera më të vogla. Ky koncept lidhet ngushtë me proceset dhe strukturat demokratike, ku shpesh shumica merr vendimet kryesore, por ku ekziston edhe rreziku i abuzimit me pushtetin nga ana e shumicës.

Çfarë është parlamenti dydhomësh?

Dydhomësia është një lloj legjislativi, i ndarë në dy kuvende, dhoma ose shtëpi të veçanta, i njohur si një legjislaturë dydhomësh. Dydhomësia dallohet nga njëdhomësia, në të cilën të gjithë anëtarët diskutojnë dhe votojnë si një grup i vetëm. Në 2015, rreth 40% e legjislaturave kombëtare në botë janë dydhomësh dhe rreth 60% janë njëdhomësh. 

Shpesh, anëtarët e dy dhomave zgjidhen me metoda të ndryshme, të cilat ndryshojnë nga juridiksioni në juridiksion. Kjo shpesh mund të çojë që dy dhomat të kenë përbërje shumë të ndryshme anëtarësh.

Miratimi i legjislacionit parësor shpesh kërkon një shumicë të njëkohshme – miratimin e shumicës së anëtarëve në secilën nga dhomat e legjislaturës. Kur është kështu, legjislatura mund të quhet shembull i dydhomëshit të përsosur. Megjithatë, në shumë sisteme parlamentare dhe gjysmë-presidenciale, shtëpia ndaj së cilës është përgjegjës ekzekutivi (p.sh Dhoma e Komunave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Kuvendi Kombëtar i Francës) mund të rrëzojnë dhomën tjetër (p.sh Dhoma e Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar dhe Senati i Francës) dhe mund të konsiderohet si një shembull i dydhomëshit të papërsosur. Disa legjislatura qëndrojnë në mes të këtyre dy pozicioneve, me një dhomë në gjendje të rrëzojë tjetrën vetëm në rrethana të caktuara.

Ali AhmetiBashkimi Evropian (BE)Dejvid Gir (David Geer)Delegacioni i Bashkimit Evropian në RMVFronti EvropianQeveria e Maqedonisë së VeriutVLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)VMRO-DPMNE