Autoritetet në Gaza thonë se ushtria izraelite ka kryer 497 shkelje të armëpushimit që nga hyrja e tij në fuqi, transmeton Portalb.mk.
Sipas Zyrës për Media të Qeverisë së Gazës, nga këto shkelje janë vrarë 342 persona dhe janë plagosur 875 të tjerë.
Institucioni akuzon Izraelin se po dëmton marrëveshjen me sulme të vazhdueshme, sipas të cilëve vetëm të shtunën janë regjistruar 27 shkelje, me 24 të vrarë dhe 87 të plagosur.
Sipas të dhënave, shkeljet përfshijnë sulme ndaj zonave civile, inkursione tokësore, goditje ajrore dhe shkatërrime të ndërtesave. Autoritetet në Gaza i cilësojnë këto veprime si “ndëshkim kolektiv”.
Ata po ashtu thonë se 35 persona janë ndaluar gjatë bastisjeve dhe se Izraeli po përpiqet të krijojë një situatë të re të rrezikshme në territor.
Mbrojtja Civile raportoi se të shtunën janë vrarë të paktën 22 persona nga sulme që goditën shtëpi dhe një automjet, duke e konsideruar këtë një shkelje tjetër të armëpushimit.
Sipas autoriteteve lokale, Izraeli vazhdon të mbajë të pushtuar më shumë se gjysmën e Rripit të Gazës, ndërsa sulmet janë shtuar në zonat lindore.
Që nga tetori 2023, autoritetet në Gaza raportojnë për mbi 70 mijë viktima dhe dëme të mëdha.