Fronti Evropian: Do të përdorim të gjitha mekanizmat në mbrojtje të legjitimitetit të fituar, Kasami ju bëri thirrje të jenë opozitë konstruktive (Video)

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, sot nga selia në Reçicë të Vogël tha se do të përdorin të gjitha mekanizmat për të mbrojtur legjitimitetin e fituar të Frontit Evropian, pas konstituimit të djeshëm të përbërjes së re të Parlamentit ku u zgjodh kryetari i saj Afrim Gashi. Megjithatë, i pyetur se çfarë konkretisht do të veprojnë më tutje, Ahmeti tha se do të informojnë më tutje. Nga ana tjetër, kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami i bëri thirrje Frontit Evropian që të jenë opozitë konstruktive, transmeton Portalb.mk.

“Po nisim rrugëtimin për të mos e lejuar këtë majorizim dhe ftojmë qytetarët që të na bashkëngjiten në përpjekjet tona për ta mbrojtur votën, legjitimitetin dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit”, tha Ahmeti.

Ai tha se tashmë nuk bëhet pyetje për pushtet, por për atë se nuk po respektohet vullneti i popullit. Ai shtroi pyetjen se pse shqiptarët dhe komunitetet e tjera joshumicë nuk duhet të organizohen në parti politike nëse fituesi nuk hyn në qeveri.

“Fronti Evropian dhe opozita shqiptare nënshkruan deklaratë për mos-hyrje në partneritet pa ndryshimet kushtetuese. Përkundër të gjitha argumenteve, numrave dhe rezultateve, humbësit e zgjedhjeve pa legjitimitetin e sovranit u nënshtruan tërësisht duke injoruar vullnetin e popullit, legjitimitetin, Marrëveshjen e Ohrit. Pse këto komunitete duhet të organizohen në parti politike dhe ta kërkojnë legjitimitetin nëse për ato vendos partia më e madhe maqedonase”, deklaroi Ahmeti. 

Konferenca e shtypit e Ahmetit vjen në kontekst të publikimit të marrëveshjes mes VMRO-DPMNE, koalicionit “VLEN” dhe Lëvizjes ZNAM për formimin e qeverisë së re në Maqedoni.

Ahmetit sot i ishin bashkuar edhe partnerët tjerë nga Fronti Evropian. Ai dje në seancën konstituive refuzoi të komentojë pozicionet e Frontit Evropian pasi që ata mbetën në opozitë. Deputetët nga Fronti Evropian nuk votuan për verifikimin e mandateve dhe e braktisën sallën para zgjedhjes së Afrim Gashit për kryetar të Kuvendit.

Nga ana tjetër, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sot kritikoi largimin e deputetëve të Frontit Evropian të cilët dje u larguan nga salla para se të votohej për kryetarin e Parlamentit. Ai kërkoi nga Fronti Evropian jenë konstruktiv si opozitë.

“Për mua ka qenë e papritur. Fatkeqësisht opozita e ardhshme që në fillim tregoi qasjen e saj ndaj zhvillimeve të cilat do të ndodhin në Maqedoninë e Veriut. Është një turp të cilët ata nuk duhej ta bëjnë, e din opinioni që na kanë lodhur në të kaluarën për atë se disa nga eksponentë të tani koalicionit qeveritar kanë marrë nuk kanë marrë pjesë në votimin e kryeparlamentarit paraprak Talat Xhaferit”, tha Kasami.

Ai theksoi se Ali Ahmeti po të ishte kujdesur për interesat e shqiptarëve do të gjente zgjidhje ligjore, jo më larg si në Kosovë ku serbët me kushtetutë e kanë të mbrojtur përfaqësimin e tyre në qeveri.

Kasami mes tjerash theksoi se janë në finalizim zë marrëveshjes me VMRO-DPMNE-në për ndarjen e resorëve për Qeverinë e ardhshme.

Pas zgjedhjes së djeshme të Afrim Gashit kryetari të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, tani pritet që presidentja Gordana Siljanovska-Davkova deri më 7 qershor t’ia besojë mandatin për formimin e Qeverisë kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit. Ai, në afat prej 20 ditëve duhet t’i paraqesë Kuvendit programin për përbërjen e Qeverisë, pra më së voni deri më 27 qershor dhe më pas Kuvendi ta votojë. Këtë procedurë e përcakton neni 90 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, VMRO-DPMNE ka njoftuar se Qeveria e re pritet të formohet edhe para këtyre afateve, konkretisht deri më 20 qershor. Qeveria e ardhshme do të përbëhet nga VMRO-DPMNE dhe VLEN, ndërsa ka mundësi që edhe Lëvizja Znam të bëhet pjesë e shumicës.

Në këtë drejtim, negociatat midis grupeve punuese të partive janë drejt fundit. VLEN gjithashtu ka bërë të ditur një pjesë të resorëve të cilat pritet t’i udhëheqin.

Kujtojmë se zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale.

Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6.

Mirëpo, pas rivotimit me 22 maj në shtatë vendvotime për shkak të parregullsive gjatë votimit të 8 majit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet fillestare të ndryshuara, sipas të cilave koalicioni VLEN fitoi një deputet më tepër, duke i bërë 14 deputetë, ndërsa Fronti Evropian humbi një deputet, i cili shkoi për VLENIN.

Por, mbetet të shihet se çfarë vendimi do të sjellë Gjykata Administrative pas kundërshtimit të BDI-së për vendvotimin në Zhelinë, pas çka do të përcaktohet nëse definitivisht një mandat i fituar në rivotime, do t’i mbetet VLEN-it apo BDI-së.

Ali AhmetiQeveria e Maqedonisë së VeriutVMRO-DPMNEZgjedhje parlamentare RMV 2024