Franca e shtyu afatin për dorëzimin e sistemeve kundërajrore për RMV-në, Ministria e Mbrojtjes: S’mund të japim detaje

Sistemi i mbrojtjes kundërajrore që pritej të dorëzoheshin nga Franca në gjysmën e dytë të këtij viti, do të vonohet për disa muaj, konfirmoi për Portalb.mk Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut. Nga kjo Ministri, shtuan se marrëveshja me prodhuesin francez është në fazën përfundimtare të zbatimit, ndërsa po merren masa intensive për të plotësuar të gjitha parakushtet për përdorim operacional. Megjithatë, Ministria shtoi se nuk mund të japë më shumë detaje mbi marrëveshjen sepse është e natyrës së klasifikuar, shkruan Portalb.mk.

Sipas ministrisë, gjatë periudhës së kaluar janë mbajtur takime të rregullta me palën franceze për koordinimin e detyrimeve sipas marrëveshjes, por prodhuesi ka njoftuar se “do të ketë një vonesë në dorëzimin e këtij sistemi për disa muaj”.

“Lidhur me pyetjet tuaja, Ministria e Mbrojtjes ju informon se marrëveshja është në fazën përfundimtare të zbatimit dhe po merren masa intensive nga të dyja palët për të siguruar të gjitha parakushtet për përdorim operacional dhe funksionalitetin e pajisjeve. Në periudhën e kaluar, janë mbajtur takime të rregullta me prodhuesin francez, me qëllim koordinimin e aktiviteteve dhe detyrimeve të të dyja palëve sipas marrëveshjes. Nga ana e tyre, është treguar vetëm se do të ketë një vonesë në dorëzimin e këtij sistemi për disa muaj”, thuhet në përgjigje.

Ministria thekson se marrëveshja mbetet e natyrës së klasifikuar, prandaj edhe nuk mund të ndajë detaje, por siguron se “i respekton dhe i zbaton plotësisht të gjitha dispozitat e marrëveshjes me qëllim mbrojtjen e interesave të ministrisë dhe shtetit”.

“Ministria e Mbrojtjes i respekton dhe i zbaton plotësisht të gjitha dispozitat e marrëveshjes me qëllim mbrojtjen e interesave të ministrisë dhe shtetit. Nuk mund t’ju ofrojmë informacione më të hollësishme në lidhje me marrëveshjen, duke marrë parasysh se marrëveshja është e natyrës së klasifikuar.
Ministria e Mbrojtjes mbetet e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që nënkuptojnë forcimin, përmirësimin dhe modernizimin e Ushtrisë Maqedonase me pajisje dhe armatim të pajtueshëm me Aleancën”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ky zhvillim vjen pas njoftimeve të mëhershme se sistemi i mbrojtjes kundërajrore, që përfshin pajisje të përputhshme me standardet e NATO-s, do të dorëzohej në gjysmën e dytë të këtij viti. Tashmë mbetet e paqartë kur saktësisht do të ndodhë dorëzimi, pasi siç duket as vendi nuk ka marrë datë nga pala franceze.

Ministria e Mbrojtjes filloi prokurimin e sistemeve të mbrojtjes kundërajrore në lartësi shumë të ulëta nga Republika e Francës gjatë kohës që kjo ministri udhëhiqej nga Sllavjanka Petrovska, për të cilat në vitin 2022 është nënshkruar marrëveshje ndërmjet dy Qeverive. Marrëveshja është nënshkruar në vizitën zyrtare të ministres së Mbrojtjes në Paris në tetor të vitit 2022.

Sisteme të mbrojtjes kundërajrore, foto: NATO

Pajisjet e mbrojtjes kundërajrore janë në përputhje me të gjitha standardet e NATO-s, si dhe në përputhje me objektivat e kapaciteteve që Maqedonia e Veriut i ndërmerr si shtet anëtar dhe si pjesë përbërëse e sistemit kolektiv të mbrojtjes dhe sigurisë së NATO-s.

“Është një marrëveshje shumëvjeçare, në kuadër të së cilës pagesa do të realizohet në vitet e ardhshme. Në fund të vitit të kaluar, në vitin 2022, është paguar kësti i parë i prokurimit të këtyre sistemeve, ndërsa pagesat e mëposhtme do të bëhen gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025. Dorëzimi i sistemeve të mbrojtjes kundërajrore në lartësi shumë të ulëta nga Republika e Francës pritet gjatë vitit 2025”, thuhej në një përgjigje për redaksinë tonë nga Ministrisë së Mbrojtjes gjatë viti 2023.

Maqedonia e Veriut, prej se është bërë anëtare e NATO-s, vazhdimisht ka shënuar rritje në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Portalb.mk, në dhjetor 2024 pyeti në ministrinë e Mbrojtjes për diskutimin e mundshëm të rritjes së BPP-së për vendet e NATO-s, të cilën e përmendi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, por nuk morëm ndonjë koment, ndërsa sa i përket buxhetit, ata njoftuan se do të ketë rritje për 322.360.000 denarë më shumë viti paraprak.

“Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025, i cili aktualisht është në procedurë parlamentare, pritet të jetë 20.450.820.000 denarë. Krahasuar me buxhetin e miratuar për vitin 2024, i njëjti pritet të rritet për 322.360.000 denarë që tregon se buxheti këtë vit pritet të arrijë në minimalisht 2% të PBB-së për Ministrinë e Mbrojtjes. Buxheti i mbrojtjes është në përputhje me vendimin e samitit të NATO-s në Uells në vitin 2014, i cili u konfirmua në samitin e NATO-s në Uashington këtë vit”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë.

Prej se vendi është bërë anëtar i NATO-s në vitin 2020, e deri në vitin 2024, buxheti është rritur për pothuajse 10 miliardë denarë, më saktësisht 9.995.460.000.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në tre vitet e fundit, rritja e buxhetit të Mbrojtjes ka qenë vazhdimisht mbi 2 ose 3 miliardë denarë.

Përndryshe, Mbrojtja ka pasur buxhetin më të ulët në vitin 2017, kur ka qenë rreth 94 milionë denarë apo 0,89% e bruto prodhimit vendor (BPV).

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.

Në kohën kur vendi përpiqet të arrijë 2 përqindëshin, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte deklaroi se anëtarët e aleancës së shpejti do të diskutojnë rritjen e objektivave të shpenzimeve të mbrojtjes përtej 2% të PBB-së aktuale, pasi ky nivel është i pamjaftueshëm për të garantuar sigurinë afatgjatë, tha Rutte në një konferencë shtypi pas një takimi ministror të NATO-s në Bruksel. Rutte theksoi se nevoja për shpenzime më të larta të mbrojtjes tejkalon kritikat e mëparshme të presidentit të dikurshëm dhe të ardhshëm amerikan Donald Trump për kontributet e mbrojtjes të Evropës.

“Nuk ka të bëjë vetëm me Trumpin”, tha Rutte. “Unë besoj fuqishëm – dhe shumë aleatë pajtohen – se 2% thjesht nuk mjafton. Për momentin është e mjaftueshme, por nëse duam të ruajmë parandalimin efektiv në afat të gjatë, duhet të shpenzojmë më shumë”.

Kur u pyet nëse anëtarët evropianë të NATO-s duhet të përgatiten për të përmbushur një objektiv të mundshëm të shpenzimeve prej 3% të PBB-së, shifër e sugjeruar nga Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump – Rutte pranoi se presidenca e parë e Trumpit kishte bërë presion për shumë aleatë për të arritur pragun prej 2%. Lufta në Ukrainë shtoi urgjencën e mëtejshme.

“Tani për tani, ne mund të mbrohemi dhe askush nuk ka dëshirë të na sulmojë. Por duhet të sigurohemi që kjo të jetë e vërtetë në katër deri në pesë vjet”, shtoi ai.

Rutte sugjeroi që objektivat e ardhshme të shpenzimeve mund të përshtaten për vendet individuale, duke reflektuar nevojat e tyre specifike dhe boshllëqet në aftësi.

Armata e Maqedonisë së Veriut (ARM)Ministria e Mbrojtjes (MM)NATONATO - Maqedoni