Filluan regjistrimet e studentëve në Universitetin e Tetovës dhe në Kirili e Metodi

Sot dhe nesër është afati i parë i regjistrimit për studentët e rinj në Universitetin e Tetovës dhe Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) në Shkup. Në Universitetin e Tetovës janë planifikuar gjithsej 4.752 vende për studentët e parë, ndërsa në Kirili dhe Metodi 9.921 vende të lira. Prej tyre, në Kiril, 4.761 janë për studentë të rregullt në kuotën shtetërore, ndërsa 4.210 janë planifikuar për studentë të rregullt me ​​bashkëfinancim dhe 950 vende për studentë me kohë të pjesshme, transmeton Portalb.mk.

Në Universitetin e Tetovës afati i  parë për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2024/2025 ka filluar që më 26 gusht.

“Në trembëdhjetë njësitë akademike të Universitetit të Tetovës sot ka filluar regjistrimi i studentëve të rinj për vitin akademik 2024/2025”, njoftuan nga UT.

Në këtë vit akademik Universiteti i Tetovës ofron edhe disa programe të reja studimore si: Biologji – Kimi 240 ECTS në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore; Kozmetikë me Estetikë 180 ECTS në Fakultetin e Shkencave Mjekësore; Informatikë Afariste 240 ECTS në Fakultetin e Administrim Biznesit në Kumanovë; Mjekësi Veterinare 300 ECTS në Fakultetin e Bujqësisë dhe Bioteknologjisë ndërsa po ashtu këtë vit Fakulteti i Kulturës Fizike ofron edhe 6 programe të reja studimore si: Kulturë Fizike dhe Shëndetësi 240 ECTS; Trajner i Sportit – Futboll 180 ECTS; Trajner i Sportit – Basketboll 180 ECTS; Trajner i Sportit – Volejboll 180 ECTS; Trajner i Sportit – Skijim 180 ECTS; Trajner i Sportit – Sportet Mundëse 180 ECTS.

Pas përfundimit të afatit parë, Universiteti i Tetovës do të organizojë edhe dy afate të tjera për regjistrim, përkatësisht 10-13 shtator dhe 23-24 shtator 2024.

Ndërkohë sa i përket Universitetit Kirilid he Metodi, Fakulteti i Shkencave dhe Matematikës (FShM) ka më së shumti vende të lira këtë vit – gjithsej 1.030, i ndjekur nga Fakulteti i Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FShIIK) me 1020 vende të lira. Fakulteti Filozofik (895), ai Filologjik (790), Fakulteti Juridik (705) dhe ai Ekonomik (700) janë ndër fakultetet që kanë më së shumti vende të lira për studentë të parë në kuadër të UKM-së.

Shuma e pjesëmarrjes në studime për studentët me kohë të plotë në kuotën shtetërore është e pandryshuar dhe mbetet 200 euro në vit. Ashtu si vitet e kaluara, studentët me kohë të plotë që do të bashkëfinancojnë studimet dhe studentët me kohë të pjesshme do të paguajnë 400 euro në vit.

Rezultatet preliminare do të shpallen të martën, më 3 shtator, ndërsa lista përfundimtare me vendim për pranimin e kandidatëve pritet të premten e ardhshme, më 6 shtator.

Regjistrimet, nga ana tjetër, janë në datat 11 dhe 12 shtator.

Afati i dytë i regjistrimit për pranimin e studentëve në ato programe studimi me vendet e lira do të jetë më 17 dhe 18 shtator dhe i treti më 27 shtator.

Ndryshe, gjashtë universitetet shtetërore tashmë kanë kuotat për numrin e studentëve që do të pranohen në vitin e parë gjatë vitit akademik 2024/25.

Ministria për Arsim dhe Shkencë publikoi numrin e studentëve për çdo drejtim, fakultet dhe universitet shtetëror, duke theksuar edhe çmimin e pagesës për vitin akademik.

Në universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup do të pranohen gjithsej 9 921 studentë të vitit të parë, në “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir do të pranohen 2 404 studentë, në Universitetin e Tetovës 4 752 studentë, në universitetin “Goce Dellçev” në Shtip do të pranohen 3 983 studentë, në “Shën Apostoll Pavle” në Ohër 364 studentë, ndërsa në universitetin “Nënë Tereza” në Shkup do të ketë 1 805 studentë.

Universiteti "Shën Kirili dhe Metodi"Universiteti i Tetovës (UT)