Festivali “Oda Dibrane” shënon 30 vjetorin e themelimit

Sonte (11 tetor) me fillim nga ora 19:00 në ambientet e Shtëpisë të Kulturës në Dibrën e Madhe dhe nesër (12 tetor) në Peshkopi – Shqipëri, mbahet edicioni i 30-të i festivalit folklorik “Oda Dibrane”. Plot dy ditë banorët e Dibrës së Madhe dhe Peshkopisë me emocione e mirëpresin këtë festival i cili me sukses prezanton folklorin mbarëkombëtar në trojet shqiptare, njofton Portalb.mk.

Festivali Folklorik “Oda Dibrane” është një nga festat më të rëndësishme të zonës së Dibrës, e cila bën bashkë grupe artistike nga të gjitha trevat shqipfolëse. Prej shumë vitesh ky event artistik ka shërbyer si një urë lidhëse kulturore mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe shumë vendeve të tjera.

Në këtë edicion do të paraqiten shoqëritë kulturo-artistike:

  • Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët Kosovë”
  • SHKA “Karshiaka” Shkup-Maqedonia e Veriut
  • Ansambli artistik “Bilbilat e Vrionit” Berat- Shqipëri
  • Qendra Kulturore “Burrel” Shqipëri
  • SHKA Dibra e Madhe Dibër
  • Grupi Folk Arbëresh “Orestre Ventrice di San Nicola Del’Alto” Itali
  • Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqipëri

Drejtori i Festivalit Miçe Duka për Portalb.mk tha se për këtë festival ka pasur interesim të madh nga gjithë qytetarët e Dibrës, por dhe më gjerë, “sepse vërtet gjithmonë ne ju servojmë një program të pasur me valle e këngë nga gjitha trevat shqiptare”.

“Gjithçka është gati për ta shënuar këtë vit jubile. Artdashësit do të mund të ndjekin një program të pasur kulturor-artistik me këngë e valle të ndryshme si nga vendi dhe më gjerë. Për këtë 30 vjetor ne si shoqëri kemi përgatitur një valle të re me ritme dibrane dhe tre këngë do të jenë speciale për këtë vite jubile, tha Duka drejtor i festivalit dhe njëherit drejtor i Shka “Dibra e Madhe”.

Festivali mbështetet nga Komuna e Dibrës Madhe, Bashkia Dibër, Qarku Dibër dhe Komuna e Peshkopisë.

Logo e festivalit dërguar nga drejtori i festivalit Miçe Duka
Komuna e Dibrës