Festivali i Parkut në Gostivar vjen me edicionin e 6-të, Shabani: Do të ketë shumë surpriza, mos mungoni

“The Park Festival” në Gostivar këtë vit shënon gjashtë vjetorin me një program të pasur muzikor me artistë të ndryshëm. Festivali këtë vit do të mbahet nga datat 23 deri më 26 korrik dhe përveç muzikës do të ketë edhe aktivitete të tjera. Për atë se çfarë sjell këtë vit festivali, Portalb.mk bisedoi me Flora Shabanin nga ekipi i marrëdhënieve me publikun (PR) të festivalit, ajo paralajmëroi atmosferë të zjarrtë dhe shumë surpriza.

Portalb: Çfarë sjell këtë vit festivali?

Flora Shabani: Ky edicion si edhe edicionet tjera paraprake ka për qëllim të përcjellë çdo vit shumë dashuri nëpërmjet muzikës dhe natyrës. Kujtimet janë ato që kanë rëndësi dhe ne duam çdo pjesëmarrës i The Park Festival të kthehet me kujtime të cilat vlejnë. Sigurisht që festivali çdo vit po rritet, dhe ne po adaptojmë gjëra të reja e kreative, gjithmonë duke ju mundësuar pjesëmarrësve të shijojnë një copëz të festivaleve ndërkombëtare edhe në vendin tonë. Këtë vit festivali premton t’i sjellë artistët më të njohur të industrisë muzikore shqiptare, por edhe të promovojë artistët vendas.

Portalb: Cili është programi, cilët artistë do të performojnë dhe a do të ketë aktivitete tjera?

 Flora Shabani: Programi i sivjetshëm është shumë i pasur. Katër datat e rezervuara pra 23,24,25,26 Korrik do të sjellin një atmosferë të jashtëzakonshme në parkun e Gostivarit. E nisim me divën e muzikës Dafina Zeqiri e cila do të performojë më 23 Korrik, shoqëruar nga rep artistët më të dashur shqiptarë, Mc Kresha, Lyrical Son, Lumi B, Buta, artistët David Dreshaj, Bletapërtace, Wavy, Dj Tr3ndy, Lurro Music, Dj Ginger, kurse në natën përmbyllëse do ta elektrizojnë skenën Mozzik, Melinda, Finem, Gjiko, Solo, Singi, Mak Zogaj, Xeno, Jole, Dj Nikk, Dj Knockout dhe Dj Ginger, pa munguar edhe programi artistik i fëmijëve ku do të përfshihen shfaqje teatrale të improvizuara në skenën tonë, perfomanca baleti si dhe shumë surpriza tjera për më të dashurit tanë. Me fjalë të tjera ky vit do pasqyrojë artet interpretuese ku do të mbizotërojë muzika, teatri dhe baleti, të cilat do e karakterizojnë dhe japin tjetër dimension këtij edicioni të gjashtë të The Park Festival.

Artistët që do të performojnë në festival. Foto: The Park Festival

Portalb: Çfarë do të ketë ndryshe nga edicionet e kaluara?

Flora Shabani: Këtë vit risi është që festivali do të jetë i digjitalizuar pra sistemi cash-free, gjithçka do të jetë praktike për pjesëmarrësit, të cilët do të mund të argëtohen, duke mos e lodh kokën për çështjet teknike, mjafton t’i kenë rezervuar biletat e tyre dhe të vijnë në kohë për ta shijuar magjinë e festivalit.

Portalb: Sa ju kanë përkrahur institucionet këtë vit?

Flora Shabani: Vlen të përmendim bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që kemi gjashtë vite rresht me Komunën e Gostivarit, të cilët kanë kontribuar me përkrahje logjistike dhe financiare, kurse nga ana e Ministrisë së Kulturës kemi pasur përkrahje minimale.

Portalb: Ku mund qytetarët t’i gjejnë biletat?

Flora Shabani: Ajo që na gëzon jashtëzakonisht shumë është se edhe këtë vit interesimi është shumë i lartë, dhe biletat po shiten me shpejtësi të madhe. Biletat mund t’i blejnë online nëpërmjet faqen mktickets.mk dhe theparkfestival.mk ku dhe i gjejnë të gjitha detajet, mund të zgjedhin Parter apo Fan pit biletë. Ndërsa pikat ku biletat mund t’i blejnë fizikisht informacionet i gjeni ne rrjetet tona sociale si Instagram dhe Facebook.

Lokacionet ku mund të merren biletat për festivalin. Foto: The Park Festival (Facebook)

Portalb: Marrë parasysh se ngjarjet e tilla janë shumë të rralla në vendin tonë, cila do ishte thirrja juaj drejtuar të rinjve?

Flora Shabani: Vetë interesimi i madh i qytetarëve tregon që vërtet jemi të etur për evente të tilla, ku të gjithë mund të vijnë dhe të kënaqen larg stresit me muzikë të bukur dhe njerëz të cilët i bashkon arti dhe natyra. Festivale dhe evente artistike muzikore duhet të shtohen, të rinjtë të kenë hapësirat e tyre për t’u promovuar, por edhe mërgimtarët tanë të dëgjojnë shqip dhe t’i shohin artistët e tyre të preferuar në qytetet e tyre. Pra, bëjmë thirrje për institucionet shtetërore që të aprovohen projekte të cilat kanë qëllim kultivimin e artit sepse është i vetmi që i bën bashkë të gjithë pa asnjë përjashtim!

CTRL Z – CTRLZFestival muzikorGostivariKëngë - Këngëtar(e)Komuna e GostivaritKoncertMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)Rinia shqiptareTë rinj - Rini - RiniaThe Park Festival