Radiotelevizioni Shqiptar ka nisur pranimin e këngëve për edicionin e 65-të të Festivalit të Këngës, i cili pritet të përcaktojë edhe përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovizion 2027, shkruan Portalb.mk.
Përmes thirrjes së publikuar, RTSH-ja u ka bërë apel këngëtarëve, kompozitorëve dhe autorëve që të aplikojnë me krijimet e tyre të reja për të siguruar një vend në garën muzikore.
Këtë vit, një prej kushteve kryesore është që këngët të jenë tërësisht origjinale dhe të mos jenë publikuar më parë. Ato duhet të interpretohen në gjuhën shqipe dhe nuk mund të zgjasin më shumë se katër minuta.
Në festival mund të marrin pjesë vetëm interpretuesit që kanë mbushur të paktën 17 vjeç.
Një rregull i veçantë lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale. RTSH-ja ka paralajmëruar se çdo këngë e krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale gjeneruese do të përjashtohet menjëherë nga gara.
Sipas organizatorëve, ky vendim synon të mbrojë krijimtarinë njerëzore dhe identitetin artistik të festivalit.
Aplikuesit duhet të dorëzojnë këngën, versionin orkestral me vokale mbështetëse në format MP3, tekstin në format Word, si dhe informacionet për autorët dhe interpretuesit. Artistët që konkurrojnë për herë të parë duhet të dërgojnë edhe një fotografi.
Çdo këngëtar ka të drejtë të aplikojë vetëm me një këngë. I njëjti kufizim vlen edhe për kompozitorët, të cilët mund të paraqiten vetëm me një krijim, qoftë individualisht apo si bashkautorë.
Pas mbylljes së aplikimeve, materialet do të vlerësohen nga një komision profesional, i cili do të përzgjedhë këngët pjesëmarrëse në netët e Festivalit të Këngës 65.
Shqipëria u përfaqësua këtë vit në Eurovision nga Alis me këngën “Nan”, duke përfunduar në vendin e 13-të në finalen e zhvilluar në Vjenë.
Edicioni i ardhshëm i Eurovisionit pritet të mbahet në Bullgari, ndërsa Sofia dhe Burgasi vazhdojnë garën për të fituar të drejtën e organizimit.