Feride Haxhiu: Sfidat e grave në politikë, pasojë e bindjeve patriarkale të shoqërisë

Përfaqësimi i grave në vendimmarrje në Maqedoninë e Veriut ende është shumë i ulët, sidomos i grave shqiptare. Pavarësisht se ndër vite ky përfaqësim është përmirësuar, ende nuk është në nivelin e kënaqshëm. Së fundmi RMV-ja u bë me përbërje të re parlamentare dhe qeveri të re, ku vendi shënoi regres në drejtim të përfaqësimit gjinor. Në kuvend janë gjithsej 10 gra deputete shqiptare ndërsa në qeveri nuk ka asnjë ministre shqiptare. Për këtë problematikë dhe të tjera, në një seri intervistash Portalb.mk sjell biseda me deputetet shqiptare të Kuvendit të RMV-së. Këtë herë biseduam me Feride Haxhiun deputete në Kuvendin e RMV-së e cila vjen nga koalicioni VLEN.

Invervistoi: Albina Ramadani

Portalb: Ndër vite përfaqësimi i gruas në politikë është rritur, megjithatë kur vjen puna te postet vendimmarrëse gratë, sidomos ata shqiptare ngelin të papërfaqësuara, sipas jush pse ndodh kjo?

Feride Haxhiu: Lëvizja Demokratike është një ndër subjektet më të reja në skenën politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe si e tillë që nga themelimi i subjektit politik jemi zotuar që gruaja të ketë rol të rëndësishëm në subjektin tonë. Sa i përket përfaqësimit të grave në pozitat vendimmarrëse Lëvizja Demokratike veçse e ka dëshmuar këtë politikë, me emërimin e zëvendës ministres së Transportit dhe Lidhjes Kaltrina Zekolli Shaqiri. Po ashtu në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lëvizja Demokratike përfaqësohet me tre deputete, Merita Koxhaxhiku, Saranda Imeri Stafai dhe unë Feride Haxhiu, po aq edhe sa është numri i deputetëve të subjektit tonë. Me këtë qasje tregojmë qartë se pozita e gruas do të jetë e rëndësishme në të gjitha proceset partiake dhe vendimmarrëse.

Portalb: Së fundmi vendi u bë me qeveri të re, por nuk kemi asnjë ministre shqiptare grua, por edhe në të kaluarën përfaqësimi ka qenë thuaj se inegzistent për këtë pozitë, si e vlerësoni këtë?

Feride Haxhiu: Forma se si është bërë përzgjedhja e përbërjes së ekzekutivit dallon nga Qeveritë e kaluara, ku kryetarët e partive politike nuk merrnin përgjegjësi juridike për të udhëheq me poste ministrore. Sot liderët e Koalicionit VLEN, kanë mbi supe barrën dhe përgjegjësinë për të udhëhequr me pushtetin ekzekutiv, ku të gjitha sukseset dhe dështimet në menaxhim do t’iu mvishen atyre. Sot kemi zv.ministre dhe jemi tre gra deputete, nuk është larg dita kur do të kemi ministre ose kryetare të komunës një grua. Afirmimi i grave në politikë po ndodh, e gjithashtu po zhvillohet kohezioni i bashkëpunimit gjinor.

Portalb: Pse gratë në vendin tonë janë të heshtura kur vjen puna te ndarja e “kulaçit” dhe posteve në vendimmarrje?

Feride Haxhiu: Konstatimi i juaj nëse bëjmë retrospektivë me të kaluarën është e saktë, mirëpo kjo gjendje faktike po ndryshon dhe se gratë çdo vit afirmohen dhe janë pjesë kyçe në procese të ndryshme shoqërore. Kjo frymë do të vazhdojë të zhvillohet edhe më tepër, e sidomos kur tani zëri i gruas merr jehonë në çdo sferë të jetës, si atë publike edhe atë private.

Portalb: A mendoni se listat e hapura do ishin një lloj zgjidhjeje për përfaqësim më të madh të grave në Kuvend dhe të njëjtat të kontribuonin në mbështetjen më të madhe të grave në politikë?

Feride Haxhiu: Listat e hapura janë më tepër mekanizëm se si të përzgjedhjen individë të cilët janë të pranuar nga populli, por kjo nuk do të thotë se e rrit numrin e grave në politikëbërje. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ekziston kuotë për përfaqësimin obligativ të grave në pushtetin ligjvënës, ku në çdo tre kandidat, detyrimisht së paku duhet të ketë një grua. Lidhur me pyetjen tuaj mbi listat e hapura, në krahasim me Republikën e Kosovës ku listat e hapura janë pjesë e procesit zgjedhor, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka gjithsej 40 gra në ligjvënës, ndërsa në Kuvendin e RMV-së numri i grave është 46.

Portalb: Ku qëndron zgjidhja sipas jush në bërjen e RMV-së një mjedis më të mirë për gratë në politikë?

 Feride Haxhiu: Zgjidhje më të mirë se si të rritet angazhimi dhe përfaqësimi i grave në politikbërjen e vendit, është përmes aktiviteteve të ndryshme mbi ngritjen e vetëdijes politike. Ne si subjekt në të kaluarën, por edhe në vazhdim organizojmë panel diskutime, konferenca dhe aktivitete të ndryshme mbi fuqizimin e gruas, gruaja në politikë, rëndësia e zërit të gruas dhe ngjashëm.

Portalb: Cilat janë sfidat me të cilat përballet një grua politikane shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

Feride Haxhiu: Sfidat e grave në politikë janë të ndryshme, por më kryesoret mund të thuhet se janë detyrimet familjare, lufta me perceptimin publik mbi moralin dhe karakterin, përfshirja në të ashtuquajturën “arena e egër”, e cila supozohet të jetë diskriminim gjinor. E gjithë kjo vjen si pasojë e bindjeve patriarkale të shoqërisë tonë.

Portalb: Për fund, çfarë mesazhi do ju jepni të gjitha vajzave të reja të cilat duan t’i futen politikës por nga rrethi dhe situata aktuale ngurojnë?

Feride Haxhiu: Mesazhi më i mirë do të jetë puna dhe suksesi. Me angazhimin tonë në politikë dhe me luftën e vazhdueshme ndaj paragjykimeve të shoqërisë ndaj grave, synojmë që të shërbejmë si shembull pozitiv dhe rrugëtimi ynë të jetë motivim shtesë për vajzat e reja të cilat ngurojnë të bëhen pjesë e subjekteve politike.

Ditëve në vijim Portalb.mk do të publikojë intervistat edhe me deputetet tjera shqiptare në Kuvendin e RMV-së.

Barazi gjinoreGra të suksesshmeIntervistëParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutShkupi