Fenomeni “Roblox”, rrezik apo argëtim për fëmijët?

Platforma digjitale Roblox është shndërruar vitet e fundit në një nga më të frekuentuarat nga fëmijët dhe adoleshentët në mbarë botën, përfshirë edhe Kosovën. Me miliona përdorues aktivë çdo ditë, kjo platformë nuk është vetëm një lojë, por një univers virtual ku fëmijët krijojnë, komunikojnë dhe ndërveprojnë me të tjerë, raporton Dojçe Vele (DW).

Por, ndërsa popullariteti i saj rritet, po shtohen edhe shqetësimet duke u ngritur shumë polemika se sa e sigurt është kjo platformë për fëmijët? Çfarë ndikimi ka ajo në zhvillimin e tyre psikologjik dhe social? Dhe si duhet të reagojnë prindërit dhe institucionet në Kosovë?

Jo çdo lojtar është shok

Roblox është një platformë që u lejon përdoruesve të krijojnë lojëra të tyre dhe të luajnë lojëra të krijuara nga të tjerët. Ajo kombinon kreativitetin, rrjetet sociale dhe lojërat në një ambient të vetëm. Fëmijët tërhiqen nga liria që ofron: ata mund të ndërtojnë botë virtuale, të krijojnë avatarë dhe të ndërveprojnë me miq apo të panjohur.

“Jo çdo lojtar është shok, mbroje veten online” është iniciativa që Jeton Brajshori, së bashku me institutin “Kritikos”, ka nisur për rritjen e vetëdijes lidhur me rreziqet e lojërave online.

Rreziku ekziston edhe në botën virtuale

Sipas Brajshorit shumë prindër janë të bindur se fëmijët janë të sigurt vetëm pse ndodhen në shtëpi, por rreziku, thotë ai, tashmë ekziston edhe në botën virtuale.

“Realisht mendojmë që, kur i kemi fëmijët në shtëpi, i kemi të sigurt. Por sot po dëshmohet se kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, për shkak të lojërave të shumta online. Nuk është vetëm Roblox-i, mirëpo ne jemi fokusuar tek kjo lojë, sepse në pamje të parë duket e padëmshme, sidomos në krahasim me lojëra të tjera si PUBG apo Counter-Strike. Megjithatë prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm se me kë po komunikon fëmija i tyre dhe çfarë po ndodh brenda këtyre platformave”, thotë Brajshori.

Brajshori flet me shqetësim edhe për grupe që, sipas tij, shfrytëzojnë platforma të tilla për të ndikuar tek fëmijët. “Ekziston një grup në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i quajtur ‘764′, i cili, sipas raportimeve të ndryshme, promovon përmbajtje të rrezikshme përmes Roblox-it. Në disa raste, fëmijët janë nxitur të dëmtojnë veten për të përfituar shpërblime virtuale”, tha ai.

“Djali gjatë lojës shpesh bërtiste dhe bëhej nervoz”

Ilir Tahiri ka pasur një përvojë personale me këtë lojë. Ai tregon se djali i tij kishte luajtur Roblox për rreth tre vite, deri në momentin kur familja vendosi t’ia ndalonte përdorimin.

“Arsyeja pse e larguam nga loja para katër muajsh ishte privatësia. Në disa raste djalit i janë kërkuar fotografi live dhe të dhëna personale, si emri, mbiemri, adresa e banimit dhe numri i telefonit”, tha Tahiri.

Ai shton se, pavarësisht monitorimit të vazhdueshëm nga familja, loja kishte filluar të ndikonte në sjelljen e të birit.

“Pas kthimit nga shkolla kalonte rreth dy orë duke luajtur. Çdo hap e kemi monitoruar përmes emailit dhe nuk e ka pasur qasjen të pavarur. Megjithatë, kemi vërejtur se gjatë lojës shpesh bërtiste dhe bëhej nervoz”, rrëfen ai.

Arrogancë, shpërqendrim, ekstremizëm

Arsimtari Shpejtim Hyseni, nga shkolla fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, thotë se efektet negative të lojërave dhe platformave të tilla po vërehen gjithnjë e më shumë edhe në sjelljen dhe performancën e nxënësve.

“Ndikon jashtëzakonisht shumë në nervozizëm, arrogancë, shpërqendrim, rezultate të ulëta, egërsim dhe ekstremizëm. Jo vetëm kjo lojë, por edhe të tjera të kësaj natyre po çojnë drejt dhunës dhe, fatkeqësisht, edhe drejt viktimave mes bashkëmoshatarëve, mësimdhënësve dhe të tjerëve”, thotë Hyseni.

Asnjë përfitim në procesin mësimor

Ai shton se, sipas përvojës së tij në shkollë, Roblox nuk sjell asnjë përfitim në procesin mësimor. “Deri tani, nga ajo çfarë përmban kjo lojë, nuk kam parë as edhe një element të vetëm dobiprurës për procesin mësimor; përkundrazi, ndikimi është negativ”, shprehet ai.

Hyseni u bën thirrje prindërve që të komunikojnë më shumë me fëmijët e tyre dhe të monitorojnë jo vetëm lojërat, por edhe përmbajtjet e tjera online që mund të nxisin dhunë apo sjellje të rrezikshme.

Fëmija/ëGejming (Gaming)