Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se i ka ofruar presidentit të Ultimate Fighting Championship (UFC), Dana White, postin e sekretares së shtypit në Shtëpinë e Bardhë. Lajmin e bëri të ditur vetë Trump përmes një postimi në platformën Truth Social, ku shprehu bindjen se White do të ishte një zëdhënës i pazakontë për administratën e tij, transmeton Euronews.al.
“Jam i kënaqur të njoftoj se Dana White-it i është ofruar posti i Sekretarit të Shtypit të Shteteve të Bashkuara. Ai do të ishte një sekretar shtypi si askush tjetër”, shkroi Trump, duke e përfunduar mesazhin me thirrjen: “Dana, të lutem pranoje punën!”.
Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët në Londër të shtunën në mbrëmje, White nuk dha detaje të mëtejshme, por konfirmoi se ishte nisur drejt Uashingtonit dhe se do të takohej me presidentin Trump të hënën.
“Jam i sigurt se do të kemi më shumë për të folur pas kësaj”, u shpreh ai, duke shtuar se kishte tashmë shumë angazhime.
Më herët, White kishte publikuar edhe një fotografi në Instagram, ku shfaqej pas podiumit të konferencave për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Fotografinë e kishte shoqëruar me mbishkrimin: “Tek kapitulli tjetër”.
Trump dhe White kanë ndërtuar ndër vite një marrëdhënie të afërt. Presidenti amerikan ka qenë shpesh i pranishëm në eventet e UFC-së, ndërsa White ka marrë pjesë në disa prej tubimeve politike të Trumpit, përfshirë edhe një aktivitet në prag të inaugurimit të tij në janar 2025.
Oferta vjen në një moment kur Shtëpia e Bardhë po kërkon një sekretar të ri shtypi, pas dorëheqjes së Katie Zacharia, e cila qëndroi në këtë detyrë më pak se pesë ditë, pas konferencës së saj të parë për mediat.
Para saj, këtë funksion e mbante Karoline Leavitt, e cila njoftoi në gusht se do të largohej nga posti për t’u përqendruar te familja e saj. Megjithatë, Trump deklaroi se ajo do të vazhdonte të shërbente si këshilltare e jashtme.
Presidenti amerikan e vlerësoi Leavitt si një nga ndihmëset e tij më të besueshme, duke e cilësuar gjithashtu si një nga sekretaret më të mira të shtypit në historinë e Shtëpisë së Bardhë.