Vendet në rajon po zbatojnë kufizime sa i përket qasjes të fëmijëve në rrjetet sociale. Me rritjen e pasojave negative – nga çrregullimet e shëndetit mendor, dhuna online nga bashkëmoshatarët, vetëlëndimi, sfidat e rrezikshme, rënia e përqendrimit dhe perceptimi i shtrembëruar i vlerave dhe suksesit – gjithnjë e më të shpeshta janë nismat për mbrojtjen e të miturve, transmeton Dojçe Vele (DW).
Sipas shembullit të një numri të madh të vendeve evropiane edhe në Maqedoni u ngrit një peticion me të cilin kërkohet ndalimi i përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 12 vjet dhe rregullim rigoroz i qasjes për të miturit nën 16 vjet. Peticioni u iniciua nga grupi qytetar “Iniciativa për fëmijëri të sigurt”.
Sipas iniciatorëve qëllimi i këtij peticioni është që shteti të prezantojë ndryshime ligjore dhe rregullim sistemik që do ta përforcojnë sigurinë digjitale, privatësinë dhe shëndetin mendor të më të rinjve.
Çfarë kërkohet me peticionin?
Iniciativa propozon krijimin e një kornize ligjore dhe praktike e cila përfshin:
- Ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale deri në moshën 12 vjet dhe kushte rigoroze për regjistrim dhe përdorim për fëmijët deri në 16 vjet, përmes verifikimit të detyrueshëm ose një ndalim të plotë nëse platformat nuk i plotësojnë standardet.
- Detyrimin për platformat për të prezantuar mekanizma teknikë dhe ligjorë për konfirmimin e pëlqimit nga prindi dhe kufizimin e qasjes për fëmijët nën 12 vjet.
- Kufizimin e targetimit algoritmik dhe rekomandimit automatik të përmbajtjeve për profilet e fëmijëve.
- Mbrojtjen dhe përpunimin e përforcuar të të dhënave personale të fëmijëve në përputhje me standardet kombëtare.
- Sanksione dhe mekanizma të definuara qartë për heqjen e shpejtë të përmbajtjeve të dëmshme dhe të rrezikshme.
- Program kombëtar për edukim digjital dhe mbështetje për shëndetin mendor të nxënësve dhe familjeve të tyre.
Kordallov: “Pa pjesëmarrjen e prindërve këto masa nuk do të kenë sukses“
Komunikologu Borjan Kordallov për DW tha se ndalesat mund të jenë efikase vetëm nëse e kanë mbështetjen e shumicës dhe nëse janë të zbatueshme në praktikë.
“Që një ndalesë të ketë sukses nevojitet përfshirje e plotë e prindërve. Institucionet si të vetme nuk mund të zbatojnë masa të tilla. Roli i prindërve, mësimdhënësve dhe profesorëve është qenësor”, thekson Kordallov.
Ai thotë se prindërit sot kanë mbi supe një barrë më të madhe se kurrë: “Ata i kanë të njëjtat përgjegjësi si brezat e mëparshëm, por krahas kësaj ata duhet edhe t’i udhëzojnë fëmijët e tyre në mënyrë të sigurt në botën digjitale. Ky realitet duhet të pranohet dhe duhet të sigurohet mbështetje institucionale.”
Rregulloret duhet të jenë të harmonizuara me BE-në
Kordallov thekson se është e domosdoshme që shoqëria të diskutojë hapur për sfidat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve në internet. Ai paralajmëron se shoqëritë në Ballkan nuk kanë një traditë të fortë të dialogut inkluziv, gjë që mund ta zvogëlojë efektin e masave kufizuese.
“Për fat të keq shoqëritë në Maqedoni dhe në Ballkan nuk kultivojnë traditë të një sistemi të tillë të komunikimit dhe gjithëpërfshirjes, prandaj që nuk jam i sigurt se ndonjë masë me ndalesa do të zbatohej plotësisht dhe do të kishte efekt ose ndoshta më shumë kundërefekt”, thekson ai.
Prandaj, fokusi serioz duhet të vihet tek përdorimi i internetit nga çdo fëmijë që do të përshtatet në mënyrë adekuate me moshën e tyre, që shënon edhe atë lloj të përmbajtjeve. Por, në të njëjtën kohë duhet të sigurohet një kornizë ligjore që i inkurajon fëmijët që që në moshë sa më të vogël të jenë qytetarë aktivë digjitalë, por edhe të vetëdijshëm për pasojat që mund të shkaktohen nga sjellja dhe aftësitë joadekuate për mbrojtje në internet.
Korniza ligjore duhet të jetë e harmonizuar me standardet e BE-së dhe të parashikojë dënime për kompanitë e teknologjisë që nuk i përmbahen rregullave.
Praktikat ndërkombëtare: Evropa rrit pragun e moshës minimale
Epoka digjitale bart rreziqe të reja dhe fëmijët janë më të cenueshmit. Algoritmet dhe dizajni i platformave shpesh e shfrytëzojnë cenueshmërinë e tyre, duke krijuar varësi, vetëperceptim të shtrembëruar dhe probleme me përqendrimin.
Në vitet e fundit një numër i madh i vendeve kanë ndërmarrë hapa konkretë. Spanja, Franca, Danimarka, Suedia dhe Australia kanë prezantuar kufizime rigoroze për fëmijët për rrjetet sociale, ndërsa për kufizime të tilla për fëmijët nën 15 vjet ka njoftuar edhe Sllovenia. Kombet e Bashkuara rekomandojnë rritjen e moshës së qasjes në rrjetet sociale. Parlamenti Evropian propozon një minimum prej 16 vjetësh për qasje të pakufizuar në rrjetet sociale në BE.