Është rrëzuar një avion i vogël në Philadelphia të SHBA-së, raportohet për viktima

Një aeroplan i vogël u rrëzua të premten në mbrëmje në një zonë banimi në qytetin amerikan të Philadelphias, ndërkohë që raportohet për viktima, transmeton Agjencia Anadollu.

Avioni, një ambulancë ajrore, u ngrit nga aeroporti i Philadelphias Verilindore kur u rrëzua menjëherë rreth orës 18:30 me kohën lokale (2330 GMT), duke shkaktuar disa zjarre.

Në bord ishin gjashtë persona, tha Administrata Federale e Aviacionit (FAA).

Në të gjendeshin katër anëtarë të ekuipazhit, një paciente e pediatrisë – një vajzë që po kthehej në Meksikë pasi kishte marrë trajtim për një sëmundje kërcënuese për jetën – dhe nëna e saj, tha “Jet Rescue Air Ambulance”, kompania që zotëron avionin. Ajo tha se nuk do të publikohen emra derisa familjarët të njoftohen.

“Shriners Hospitals for Children”, ku vajza është trajtuar, konfirmoi se ajo dhe nëna e saj gjendeshin në aeroplan.

Po ashtu, gjashtë persona që kanë qenë në tokë gjatë përplasjes janë shtruar në spital. Tre prej tyre mbeten në spital ndërsa tre të tjerë janë liruar, raportoi NBC.

Kryebashkiakja Cherelle Parker tha se zyrtarët nuk kanë marrë ende raporte për numrin e viktimave. Ajo u bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë larg vendit të ngjarjes.

“Shumë e trishtë të shohësh rënien e avionit në Philadelphia, Pennsylvania. Shpirtra të tjerë të pafajshëm u shuan”, tha presidenti i SHBA-së Donald Trump në Truth Social.

FAA-ja dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) po e hetojnë rastin.

Aeroplan - AvionShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)