Është djegur vetura e drejtorit të burgut të “Idrizovës”

Herët në mëngjes sot është djegur vetura e drejtorit të INP Idrizovë, Zoran Jovanovski. Ngjarja ka ndodhur para shtëpisë së drejtorit, në lagjen Kisela Voda të Shkupit. Në shuarje ka marrë pjesë një ekip i Zjarrfikësve të Shkupit me disa zjarrfikës. Nuk ka persona të lënduar, përveç dëmeve materiale, transmeton Portab.mk.

Ekipet e MPB-së kanë inspektuar vendin e ngjarjes.

“Me datë 15.05.2024 rreth orës 03:35 në Stacionin Policor Kisella Vodë në Shkup është raportuar se i është djegur vetura e parkuar e pasagjerëve “Volkswagen Passat” me targa të Shkupit në pronësi të INP Burgu Idrizovë, e cila ishte parkuar nga Z.J”, njofton MPB.

Zjarri ka kapluar një pjesë të fasadës së pallatit dhe objekte në ballkonet e kateve të poshtme të pallatit. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit, tha policia.

Qeveria vitin e kaluar në mars e shkarkoi Shpend Tahirin, atëherë drejtor i burgut “Idrizovë”, dhe në vend të tij emëroi Jovanovskin. Shkarkimi i Tahirit erdhi në të njëjtën ditë kur u zbulua se brenda burgut ishte zbuluar një tunel, i hapur nga të dënuarit që përgatiteshin për arratisje. Thuhej se të burgosurit hapën një tunel 60 metra dhe se e gjithë kjo është bërë në 4-5 muajt e mëparshëm.

Jovanovski ka diplomuar në Fakultetin për Siguri dhe Vetëmbrojtje Sociale Elisie Popovski, Shkup dhe ka magjistruar në Fakultetin Filozofik të Universitetit Shën Kirili dhe Metodi në Shkup. Sipas biografisë së bashkangjitur, ai ka përvojë pune në MPB, si komandant i Njësisë për Detyra Speciale, si zëvendës i përgjithshëm i Policisë, si shef i Policisë Kufitare, si ndihmësdrejtor i BSP-së. Ai gjithashtu ka marrë pjesë në seminare të shumta në Luiziana, SHBA, Gjermani, Britani të Madhe, në lidhje me teknikat e kërkimit, hetimet penale.

Burgu i Idrizovës