Erdogan: Egjipti mund t’i bashkohet paktit të mbrojtjes Turqi-Arabi Saudite-Pakistan

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se Egjipti mund t’i bashkohet marrëveshjes së përbashkët të mbrojtjes të nënshkruar së fundmi mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit. Në një intervistë ekskluzive për Al Jazeera-n, Erdogan e cilësoi anëtarësimin e Kajros si një mundësi dhe theksoi se marrëveshja është e hapur edhe për vende të tjera, shkruan Euronews, transmeton Portalb.mk.

Marrëveshja, e njohur si Pakti i Mekës, u nënshkrua në qytetin e shenjtë nga Erdogan, Princi i Kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman dhe kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif. Sipas saj, një sulm i armatosur ndaj njërit prej vendeve nënshkruese do të konsiderohet si sulm ndaj të trejave.

Erdogan tha se marrëveshja i ka dërguar një mesazh të rëndësishëm botës dhe se zgjerimi i saj me vende të tjera, përfshirë Egjiptin, është një nga mundësitë që po shqyrtohen. Megjithatë, zyrtarët pakistanezë kanë paralajmëruar se pakti nuk duhet të shihet si një kopje e NATO-s apo si një aleancë e drejtuar kundër një shteti të caktuar.

Gjatë intervistës, Erdogan foli edhe për tensionet në rajon dhe për rëndësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit. Sipas tij, vazhdimi i mbylljes së Ngushticës nuk i shërben interesave të askujt. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Katarit në përpjekjet diplomatike për ndalimin e luftimeve.

Për Sirinë, Erdogan tha se Turqia do të vazhdojë të mbështesë stabilitetin e vendit dhe la të kuptohet se planifikon një vizitë atje. Ai deklaroi gjithashtu se kurdët e Sirisë kanë të drejtë të jetojnë në paqee në stabilitet dhe se Ankaraja do të vazhdojë të mbështesë të drejtat e komuniteteve kurde në rajon.

Sa i përket Gazës, presidenti turk tha se Turqia nuk mund ta lërë Gazën vetëm dhe se do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për ta mbështetur. Erdogan deklaroi se Hamasi po i përmbush angazhimet e tij me mirëbesim, ndërsa kritikoi vazhdimin e luftës nga Izraeli.

EgjiptiPakistanRexhep Taip ErdoganTurqia