EPËRSIA TEKNOLOGJIKE

Në Samitin e NATO-s që u zhvillua në Uashington (9 deri më 11 korrik), përveç çështjeve të njohura ndërkombëtare dhe atyre që prekin interesin e shteteve anëtare të aleancës, një vëmendje në deklaratën përfundimtare të NATO-s, ju kushtua epërsisë teknologjike që duhet të mbajë aleanca në dekadat që vinë ndaj kundërshtarëve si Kina dhe Rusia. Për të mbajtur këtë status global, anëtarët e NATO-s duhet të përmbushin obligimet që dalin nga samitet e mëparshme, ku anëtarët e NATO-s janë pajtuar për rëndësinë e shpenzimit prej dy përqind të buxhetit kombëtar në forcat e armatosura.

Debati rreth shpenzimeve në mbrojtje është i vjetër dhe shkon që nga koha e themelimit të NATO-s. Me shpenzime adekuate nga të gjithë anëtarët e NATO-s, siguria e hapësirës euro-atlantike të aleancës është më e sigurtë në kohë, pasi kjo bëhet me mjete të duhura të teknologjisë së fundit. As mbrojtja dhe as politika e zbrapjes nuk mund të zbatohen nga aleanca, nëse nuk aplikohen teknologji të reja nga të gjitha shtetet anëtare të NATO-s ose thënë ndryshe nëse NATO nuk mban epërsi teknologjike ndaj kundërshtarëve të saj, siguria dhe mbrojtja vihen në rrezik.

Epërsia mund të mbahet vetëm nëse shtetet anëtare të aleancës të paktën e arrijnë dy përqindëshin e shpenzimeve. Për vitin 2023, 11 shtete të NATO-s e kanë përmbushur këtë obligim të shpenzimeve ushtarake. Raporti i fundit vjetor i Sekretarit në largim të NATO-s, Jens Stoltenberg sugjeron se “në vitin 2024, ky numër ka të ngjarë të rritet në 18 shtete”.

Maqedonia e Veriut sipas raportit ka shpenzuar 1.7 % të buxhetit në ushtri gjithnjë sipas kërkesave të NATO-s. Ndërsa politikat e buxhetit janë përcaktuar shumë qartë nga NATO, pa një epërsi teknologjike të të gjithë anëtarëve të NATO-s, në një botë që ndryshon, shtetet anëtare të aleancës nuk do të jenë gati për sfidat e së nesërmes. Për këtë arsye, aleanca dhe SHBA si lidere, ka vite që kanë filluar të promovojnë inovacionin për të ruajtur epërsinë teknologjike ndaj Kinës dhe Rusisë.

Përdorimi i teknologjive të reja, duke përfshirë këtu dhe Inteligjencën Artificiale, sigurisht se fuqizon aktorë të ndryshëm gjeopolitikë, duke përfshirë vendet më pak të zhvilluara, aktorët joshtetëror dhe BRICS shtetet. Andaj, “integrimi i përbashkët teknologjik i aleatëve në domenin ajror dhe kibernetik është parë si hap i rëndësishëm në epërsinë teknologjike”, duke rritur kështu mbrojtjen e anëtarëve prej sulmeve nga jashtë.

Një program që ka kërkuar sipas zyrtarëve të NATO-s një investim të madh është “Programi i Aleancës për
Mbikëqyrjen e Përhershme të Hapësirës”- (APSS). “APSS” rrit aftësinë e NATO-s për të vëzhguar aktivitetet në tokë dhe në det me saktësi dhe në kohë”. Sipas njoftimeve të aleancës, “APSS” tani ka kaluar në fazën e zbatimit, duke shfrytëzuar kapacitetet satelitore në hapësirë për nevojat e shteteve anëtare. Po ashtu për shërbimet “Cloud – Edge”- (ACE) kemi shkruar më herët. Ky shihet si një aktivitet i ri i blerjes shumëkombëshe të “Cloud – Edge” që pritet të bëjë një revolucion në operacionet e aleatëve të NATO-s dhe anëtarëve.

Sipas zyrtarëve të aleancës “duke integruar zgjidhjet softuerike aleate me teknologjitë më të avancuara, “Cloud – Edge” do të përmirësojë efikasitetin operacional duke siguruar komunikime të unifikuara dhe duke mundësuar ndarjen e pandërprerë të të dhënave në domenet e operimit në tokë, ajrë, det, hapësirë dhe më gjërë”. Së fundi, NATO njoftoi investime prej një miliardë eurosh në këtë fushë. NATO me këtë fond kërkon të forcojë kapacitetet teknologjike në mes tensioneve në rritje gjeopolitike jo vetëm me Rusinë por edhe me Kinën.

Përveç çështjeve të epërsisë teknologjike, shtetet e Ballkanit që janë anëtare të NATO-s në bashkëpunim me partnerët kryesorë të aleancës kanë bërë përparime të dukshme në teknologji duke u aftësuar për luftërat e reja dhe rreziqet e kohës. Ditë më parë kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski theksoi nevojën e modernizimit të ushtrisë maqedonase. Përderisa NATO kërkon të mbetet e para në botë, Kina gjithashtu ka bërë hapa të jashtëzakonshëm për t’i arritur shtetet si SHBA në teknologji ose në disa fusha ka shkuar më thellë në zbulime.

Gara aktuale e shteteve për supermaci në tokë, hapësirë dhe me shërbimet “Cloud-Edge” do të vazhdojë në vitet që vinë. Historikisht shtetet kanë bërë të njëjtën gjë në kohë të ndryshme me mjete të ndryshme të cilat janë konsideruar si teknologji dhe kornizë për epërsi ndaj shteteve apo armiqve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi