Drejtoria doganore e RMV-së sekuestroi një numër të madh atletesh, cigaresh dhe mjete dore të padeklaruara

Në një automjet me targa të huaja në vendkalimin kufitar “Tabanovc”, Drejtoria doganore dje ka penguar disa tentime për kontrabandim të 62 palë atlete, 37 vegla dore – kaçavida, pesë copë vegla lëmues dhe shtatë copë bateri me mbushës, transmeton Portalb.mk.

“Në pyetjen e doganierit nëse ka diçka për të deklaruar, shoferi ka deklaruar se ka vetëm sende personale, por gjatë kontrollit të automjetit në bagazh, në sediljet e pasme dhe poshtë tyre është gjetur mall i padeklaruar në qese plastike dhe çanta. Malli është mbajtur përkohësisht, ndërsa kundër personit është iniciuar procedurë kundërvajtëse”, thonë nga Drejtoria doganore.

Nga ana tjetër, në PK “Bogorodica”, nga ekipet mobile doganore, në hyrje të vendit në dy raste të ndara janë zbuluar njëzet e gjashtë pako cigare. Në rastin e parë dymbëdhjetë pako janë gjetur në kabinën dhe pjesën e jashtme të traktorit të kamionit me targa të Maqedonisë, ndërsa në rastin e dytë janë gjetur 14 pako në një kamion tjetër me targa maqedonase, në kabinë dhe në zgavrat anësore të automjetit.

Dogana ka raportuar edhe për një rast tjetër të parandalimit të kontrabandës së njëmbëdhjetë paketave të cigareve, edhe në vendkalimin kufitar “Bogorodicë”.

“Cigaret e padeklaruara janë gjetur në bagazhin në pjesën e pasme të automjetit, në hapësirën rreth gomës rezervë si dhe në sediljen e pasme të automjetit. Cigaret janë ndalur përkohësisht, ndërsa ndaj pasagjerit është iniciuar procedurë përkatëse”, thuhet në njoftim.

DoganaDrejtoria e doganave RMV