Anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë që zgjidhen nga Kuvendi në të ardhmen do t’i nënshtrohen një procedure të ngjashme me atë që zbatohet për anëtarët dhe kryetarin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, përkatësisht intervistë publike, vlerësim me pikë dhe hartim të një liste renditjeje, transmeton Portalb.mk.
Këtë e parashohin ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë, të miratuara së fundmi nga Kuvendi në vazhdimin e djeshëm të seancës së 106-të.
Ndryshimet u miratuan me procedurë të shkurtuar dhe me shumicë të thjeshtë. Për to votuan 59 deputetë, ndërsa 18 votuan kundër.
Propozues të ndryshimeve ishin një grup deputetësh nga shumica parlamentare: Bekim Qoku, Bojan Stojanoski, Brane Petrushevski, Vesna Bendevska, Dafina Stojanoska, Eli Panova dhe Merita Kolçi Koxhaxhiku. Ato u futën në rendin e ditës së seancës së 106-të të mërkurën e javës së kaluar.
Atëherë, propozimin në seancë plenare e arsyetoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, i cili tha se bëhet fjalë për ndryshime të nenit 35, që rregullon procedurën për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë nga Kuvendi.
“Vlerësuam se modeli fillestar i përmbushte qëllimet për të cilat ishte propozuar ligji, por kjo është një fushë dinamike. Prandaj jemi gjithmonë të hapur për ide dhe sugjerime që vijnë nga institucionet relevante dhe pikërisht për këtë arsye propozojmë këto ndryshime”, deklaroi Stojanoski më 24 qershor.
Me ndryshimet e miratuara ndryshohen dispozitat e nenit 35 të ligjit. Në vend të grupit të punës, përzgjedhjen e kandidatëve do ta bëjë një komision për seleksionim, i cili do të formohet nga Komisioni parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime. Ky komision do të ketë shtatë anëtarë, pra dy më shumë se grupi i deritanishëm i punës.
Risi është edhe futja e intervistës me kandidatët që do të aplikojnë në shpalljen publike. Intervistat do të transmetohen në kanalin televiziv të Kuvendit. Nëse ndonjë kandidat nuk paraqitet në intervistë, sipas ndryshimeve të miratuara, do të konsiderohet se e ka tërhequr kandidaturën.
Ndryshimet parashohin gjithashtu vendosjen e një sistemi të vlerësimit dhe pikëzimit të kandidatëve sipas kritereve të përcaktuara, si dhe hartimin e një liste renditjeje me arsyetim dhe pikëzim individual për secilin kandidat.
“Nëpërmjet Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, saktësohen dhe harmonizohen dispozitat për procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë nga Kuvendi me procedurën për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Me këtë forcohet zbatimi i një qasjeje të barabartë dhe sigurisë juridike gjatë zgjedhjes së funksionarëve dhe personave të zgjedhur nga Kuvendi, duke garantuar përzgjedhjen e kuadrit më cilësor që i plotëson kushtet ligjore, përmes një procedure transparente dhe të hapur për publikun, e cila e bën sistemin më rezistent ndaj ndikimeve gjatë procesit të përzgjedhjes”, thuhet në arsyetimin e ndryshimeve.
Sipas arsyetimit, ky sistem në një kuptim më të gjerë duhet të forcojë besimin e publikut në përzgjedhjen e personave që do të udhëheqin institucionet kyçe.
Gjatë debatit në Komisionin Ligjvënës-Juridik dhe në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, deputetët e LSDM-së në opozitë paraqitën një amendament me të cilin kërkonin që në nenin 35 të shtohej një dispozitë që do t’u mundësonte kandidatëve të pakënaqur të paraqesin ankesë në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime brenda 48 orëve nga publikimi në faqen e Kuvendit të listës së kandidatëve që kanë kaluar fazën e parë të përzgjedhjes.
Po ashtu, amendamenti parashikonte që Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime të ishte i detyruar të vendoste për ankesat jo më vonë se pesë ditë nga përfundimi i afatit për paraqitjen e tyre dhe më pas të publikonte listën përfundimtare.
Megjithatë, shumica e anëtarëve të të dy komisioneve parlamentare e hodhën poshtë amendamentin e opozitës.
Sipas nenit 11 të ligjit, mënyra e zhvillimit të intervistave, vlerësimi i përmbushjes së kushteve dhe pikëzimi i kandidatëve do të rregullohen me një akt të veçantë të Kuvendit, i cili, sipas ndryshimeve, duhet të miratohet brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë.
Kujtojmë se më 7 maj Kuvendi, me 64 vota “pro”, 15 “kundër” dhe asnjë “abstenim”, miratoi Ligjin e ri për Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili është pjesë e Agjendës së Reformave.
Nga Ministria e Drejtësisë, si propozues i autorizuar, atëherë u bë e ditur se ligji është harmonizuar me standardet dhe rekomandimet evropiane dhe se ai sjell risi që synojnë forcimin e pavarësisë, profesionalizmit dhe transparencës në punën e Këshillit.