Dita e nëntë e protestës kundër projektit në Zvërnec, u shpalos edhe manifesti (VIDEO)

Ka nisur dita e 9 e protestës së qytetarëve kundër projektit në Zvërnec. Ashtu si edhe ditët e tjera, qytetarët janë grumbulluar në shesh për ta vazhduar tubimin e tyre duke marshuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur para Kryeministrisë.

Siç raporton Top Channel, thirrja e protestuesve për ditën e tyre të 9 në shesh është “Shqipëria e re”.

Një nga pankarta udhëheqëse të marshimit nga një grup studentësh është: “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët”, ndërsa qytetarët po shpërndajnë edhe pankarta ku shkruhet: “Jep dorëheqjen.”

Ndërkohë tensione janë shënuar në nisje të protestës së zhvilluar para Kryeministrisë mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të FRPD-së. Qytetarët u kanë kërkuar përfaqësuesve të FRPD-së të largohen nga protesta, duke theksuar se nuk duan asnjë përfaqësim politik në tubim.

Organizatorët e protestës para Kryeministrisë kanë deklaruar se nuk do të ketë më fjalime të rastësishme në podiumin e ngritur, por do të flasin vetëm pesë personalitete që do të përzgjidhen nga grupi nismëtar. Sipas tyre, këta përfaqësues do të vijnë nga fusha të ndryshme, si shkenca, arsimi dhe sektorë të tjerë të shoqërisë.

Edi RamaProtestaShqipëriaTiranaZvernec Protesta