Ka dështuar për herë të katërt konstitituimi i Kuvendit të Kosovës. Me të nisur vazhdimi kryesuesi Avni Dehari e ka ftuar Vetëvendosjes që të propozojë emrin për kryetar të Kuvendit. Deputeti i Vetëvendosjes Gluk Konjufca, ka thënë se ata e kanë emrin e njëjtë, Albulena Haxhiun, dhe ka theksuar se meqë partitë e tjera janë deklaruar kundër votimit të saj, duhet kohë shtesë për konsultime, shkruan Koha.net.
“VV, padyshim e ka emrin e njëjtë, Albulena Haxhiu si e propozuar. Ne meqenëse e kemi parë që të gjitha subjektet politike qysh dje kishin paralajmëruar se do të kenë qëndrimin e njëjtë, mendoj se në këtë situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç se me një marrëveshje politike…Pa krijimin e një mazhorance këtu në Kuvend për kryetarin e Kuvendit nuk do të mund të themelohet vetë Kuvendi. E njëjta logjikë është edhe për nënkryetarë… Atëherë ne zoti kryesues kërkojmë një kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë që e patëm tri herë radhazi në Kuvend”, ka theskuar Konjufca.
Pas kësaj Dehari ka thënë se seanca do të vazhdojë të mërkurën.