Dështoi përsëri konstituimi i Kuvendit në Kosovë, të shtunën përpjekja e fundit

Deputetët kanë dështuar të premten ta konstituojnë Kuvendin – një ditë para skadimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për finalizim të procesit. Seanca e radhës do të mbahet më 26 korrik në orën 14:00, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Më 24 korrik, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për masë të përkohshme, përmes së cilit ua ndalon deputetëve çdo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit në periudhën 27 korrik – 8 gusht.

Ambasadori britanik: Kosova mund të hyjë në territor të panjohur

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës, para se të nisë zbatimi i masës së përkohshme të Gjykatës Kushteutese.

“Përndryshe, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka thënë ambasadori përmes një postimi në Facebook, pas pjesëmarrjes në përpjekjen e 52-të të deputetëve për konstituim të Kuvendit.

Abdixhiku: Dehari po shkel Kushtetutën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përsëritur sërish se kryesuesi i seancës, Avni Dehari – nga Lëvizja Vetëvendosje – e ka shkelur Kushtetutën.

Edhe ai ka thënë se partia e tij do të jetë në pritje të aktgjykimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

“Kryesuesi e ka shkelur Kushtetutën. Kjo është përmbysje e rendit kushtetues. Tani presim që të ketë edhe vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për lëndën tonë”, ka deklaruar Abdixhiku pas dështimit të 52-të për konstituim të Kuvendit.

Sipas LDK-së dhe partive tjera të mëdha shqiptare, Dehari po vepron në mënyrë jokushtetuese duke insistuar në formimin e një komisioni për votim të fshehtë.

Kreu i PDK-së: Nuk e kemi kërkuar masën e përkohshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se partia të cilën e drejton ai, nuk e ka kërkuar masën që e ka caktuar Gjykata Kushtetuese, megjithatë ky institucion është në drejtën e vet.

“Besoj që ka një arsye të cilën nuk mund ta paragjykoj. Cila mund të jetë arsyeja ndoshta është diçka që do ta kuptojmë kur të publikohet aktgjykimi”, ka thënë Krasniqi, duke thënë se PDK-ja do ta respektojë vendimin.

I pyetur nëse partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, ai ka thënë se rrethanat aktuale, nuk do të ishte diçka e jashtëzakonshme, ndonëse do të jetë diçka e mundimshme, pasi afër janë edhe zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

“Në fund të fundit, demokracia funksion kështu”.

Ambasadori i BE-së: Kosovës i duhet Kuvend dhe Qeveri e re

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, u shpreh i zhgënjyer që deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk arritën sërish ta bëjnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Kosovës i duhet një Kuvend pak a shumë menjëherë. Kosovës i duhet një qeveri e re, një qeveri e re që do ta ndërtojë urën e re – një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe Brukselit”, tha Orav, në hollin e Kuvendit, pas mbylljes së seancës konstituive.

Ai shtoi se ndërtimi i një bashkëpunimi të tillë do ta përshpejtonte procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në seancën e 52-të kontituive, ai ishte i pranishëm bashkë me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë nga SHBA-ja, Gjermania, Britannia e Madhe, Franca, etj.

“Ne erdhëm këtu me shpresa të mëdha, por fatkeqësisht prapë nuk ndodhi asgjë”, tha Orav.

Murati fajëson partitë tjera për dështimin e radhës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati, ua ka atribuuar partive tjera politike dështimin për konstitutim të Kuvendit, duke e quajtur “jokushtetutes” vendimin e tyre për të mos propozuar nga një deputet për komision për votim të fshehtë.

“Sa i përket rrugës përpara, ne e kemi edhe nesër një mundësi. Është dita e fundit, sipas afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, nuk mendoj se ka nevojë të pritet masa e përkohshme, sepse atëherë hyjmë në territor të pashkelur më parë sa u përket veprimeve dhe pasojave, pas tejkalimit të këtij afati. U bëj thirrje të gjithë deputetëve që ta shfrytëzojnë mundësinë, të votohet komisioni i fshehtë, të marrin pjesë, qoftë për, kundër apo abstenim, pavarësisht votës së tyre, le ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese”.

Ai e ka përmendur edhe një herë zotimin e LVV-së që nëse Albulena Haxhiu nuk i merr votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare edhe në votim të fshehtë, atëherë ajo do të tërhiqet.

Rohde: Klasa politike po dështon përballë qytetarëve

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e quajti fatkeqësi dështimin e sërishëm të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Duke folur në hollin e Kuvendit pak pas mbylljes së seancës, ai tha se “jemi këtu për ta theksuar shqetësimin tonë dhe urgjencën për të formuar insitucionet”.

“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Klasa politike po dështon përballë qytetarëve”, tha Rohde.

Ai e quajti vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur masë të përkohshme si karton të kuq “sepse po e suspendon parlamentin për të marrë një vendim”.

Rohde ishte i pranishëm në këtë seancë së bashku me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë nga SHBA-ja, BE-ja, Britannia e Madhe, Franca, etj.

Limaj: Nisma nuk shkon drejt zgjidhjeve parciale

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë pas seancës se partia e tij nuk shkon drejt zgjidhjeve parciale dhe nuk kontribuon që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Kur Nisma të jetë e sigurt se po formohet një shumicë qeveritare, do ta japë kontributin e vet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme”.

“Shumicë qeveritare, nuk ka zgjidhje parciale. Është bërë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për mua s’ka qenë asnjëherë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, fundamenti i kësaj krize është mospasja e numrave të nevojshëm për Qeveri, dhe derisa nuk ka numra të mjaftueshëm për qeverisje, gjërat kanë ngelur ku janë sot”.

Mes tjerash, Limaj ka thënë se në interes të demokracisë dhe funksionimit të institucioneve, “do të ishte mirë ta presim aktgjykimin, dhe më pas forcat politike të mobilizohen t’i themelojnë institucionet”.

Dështon sërish konstituimi, Dehari fton seancën e radhës për nesër

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, e ftoi seancën e radhës, të 53-tën, për nesër, të shtunën, në orën 14:00.

Thirrja për seancën e radhës u bë pasi, me vetëm 54 vota pro formimit të komisionit për votim të fshehtë, sërish dështoi konstituimi i Kuvendit.

Seanca e radhës do të mbahet vetëm një ditë para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar asnjë veprim nga deputetët për konstituim të Kuvendit nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Thirrje ndaj Deharit “të mos keqpëdorë pozitën”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Vlora Çitaku, ajo e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, si dhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, i kanë kërkuar kryesuesit të seancës, Avni Dehari që të mos e keqpërdorë pozitën dhe t’i kthehet rendit të ditës, që nënkupton votim të hapur për propozimin e Haxhiut për kryeparlamentare.

Dehari, në anën tjetër, ka vazhduar të kërkojë prej tyre që të propozojnë nga një kandidat për komision për votim të fshehtë.

Rexhepi s’pret dakordim nga LVV-ja dhe Nisma për konstituim të Kuvendit

Kyetarja e Partisë së Re Demokratike, Emilija Rexhepi – si njëra nga përfaqësuesit e komunitetit boshnjak në Kuvendin e Kosovës – tha se nuk pret që të ketë marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate për konstituim të Kuvendit sot.

“Sa unë e di, ata flasin vetëm për koalicion për qeveri”, tha Rexhepi.

Rexhepi, si zëvendëskryeministre në detyrë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, ka përkrahur iniciativat e derimëtanishme të LVV-së në Kuvendin e Kosovës.

Çfarë tha Gjykata Kushtetuese?

Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës”.

Më 24 korrik, Kushtetuesja tha se ekzistojnë rrethana të intersit publik, që e përfshijnë rendin kushtetues të Kosovës, që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend.

Vendimi për vendosjen ex officio të masës së përkohshme, Kushtetuesja tha se e mori pas pranimit të dy lëndëve në fillim të korrikut nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këto dy lëndë janë bashkuar, tha Kushtetuesja, duke shtuar se Gjykata po ashtu ka pranuar komente nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këto lëndë.

KosovaParlamenti – Kuvendi i Kosovës