Degradimi ynë qytetar

Shkruan: Nexhat Bexheti

Po qe se i shqyrtojmë rrënjët e thella të prapambetjes sonë konstante në rrjedhat e progresit universal, atëherë sipas postulateve të socialpsikologjisë del se janë botëkuptimet dhe veprimet antisociale ata që na kanë katandisur në zgafellen e mjerimit social me gjithë reperkusionet negative në statusin tonë kombëtar.

Kjo parasegjithash mund lehtë të shihet dhe përjetohet nëpër situatat e ndryshme sociale në të cilat manifestohet një raport denigrues interpersonal me prapavijë keqdashëse, ku urrejtja dhe diskualifikimi i të tjerëve mbisundon ndjenjën a ngrohtë njerëzore. Kësisoj, është krijuar dhe instaluar një rrymë e ftohtë interpersonale nëpër familjet, shkollat, fakultetet dhe mjediset tjera publike, në të cilat sjellja armiqësore ka zaptuar deri në grykë frymën e mirëkuptimit dhe relacioneve miqësore, ashtu siç është në botën e civilizuar.

Për më tepër, në ambientet autoktone shqiptare kundërmon trahoma e rëndë bizantine, në të cilat emërues i përbashkët është korrupsioni, diskriminimi, dhe ndjenja e hakmarrjes në vend të vlerave të mirëfillta qytetare; siç janë kultura okcidentale, shteti demokratik dhe shoqëria e individëve të barabartë para ligjit.

Pra, përderisa ne të tjerët i venerojmë dhe trajtojmë përmes okularit të interesave personale, duke ngjeshur trastën e pafund të orekseve egoiste, gjendja e jonë sociale nuk do të përmirësohet.     Përkundrazi, ajo dita ditës do të përkeqësohet duke na u përsëritur me një intensitet edhe më tmerrues tragjeditë kombëtare dhe zhvendosjet apokaliptike.

Sidoqoftë, nuk është ende vonë të revidojmë kodeksin e pikëpamjeve dhe performancave disociale në funksion të ngritjes së nivelit të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror, me çka do të hapeshin gjerë e gjatë shtigjet drejt vendeve të zhvilluara perëndimore.

Qytetarët pësojnë si bregu nga valët, ngase akoma nuk u gjet një opsion zhvillimor dhe të jetojnë në këtë mjedis përafërsisht si mesatarja e qytetarëve Evropian.

Politikat e mjediseve multietnike u treguan si antipod i vlerave të përbashkëta, nacionalizmat primitive proklamohen me referencë triumfale mbi shpëtimin e mungesës së opsionit zhvillimor. Vendi numëron betejat e humbura dhe politikanët strehohen në satisfaksionin e lojërave të fjalëve. Gërmojnë në humnerat të cilat janë eksploruar që nga koha e kryqëzatave. Koha bashkëkohore e përmbysur nga ëndrrat e syçelëve të cilët, zgërdhinden kur e befasojnë popullatën në pritë.