Një numër i madh ushtarakësh danezë pritet të mbërrijnë të hënën vonë në Kangerlussuaq, në Groenlandën perëndimore. Në Groenlandë pritet të mbërrijë gjithashtu edhe shefi i Komandës së Ushtrisë Daneze, Peter H. Boysen, raporton Euronews.
Sipas autoriteteve të larta ushtarake daneze, dislokimi i trupave është pjesë e përforcimit të pranisë ushtarake të Danimarkës në ishull, në një kohë kur rajoni i Arktikut po përballet me rritje të tensioneve gjeopolitike.
Komandanti i Komandës së Përbashkët Arktike të Danimarkës në Groenlandë, Soren Andersen, ka bërë të ditur se rreth 100 ushtarë danezë kanë mbërritur tashmë në kryeqytetin Nuuk, ndërsa pothuajse i njëjti numër ndodhet në Kangerlussuaq. Trupat do të marrin pjesë në stërvitjet e njohura si “Qëndrueshmëria Arktike”.
Më 14 janar, qeveria e Groenlandës dhe Ministria Daneze e Mbrojtjes njoftuan vendimin për të vijuar stërvitjet ushtarake daneze në Groenlandë, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e NATO-s. Në kuadër të këtij angazhimi, Suedia, Norvegjia, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Finlanda dhe Holanda kanë shprehur gjithashtu synimin për të dërguar trupa në ishull.