Qytetarët e Serbisë të dielën votuan në numër rekord në zgjedhjet parlamentare, në të cilat lëvizja masive studentore e protestës po përpiqet ta largojë nga pushteti liderin populist prej shumë vitesh, Aleksandar Vuçiq, i cili po përballet me sfidën më të madhe ndaj sundimit të tij në më shumë se një dekadë, transmeton Dojçe Vele (DW).
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat Vuçiqi i shpalli në shtator, po mbahen pas gati dy vjetësh demonstratash të udhëhequra nga studentët kundër asaj që protestuesit e konsiderojnë korrupsion dhe forcim gradual të autoritarizmit. Protestat nisën pasi 16 persona humbën jetën nga shembja e strehës së hyrjes në stacionin hekurudhor në Novi Sad, në vitin 2024. Që atëherë, studentët kanë fituar mbështetje të gjerë.
Radhë të gjata votuesish u krijuan para vendvotimeve në qytete dhe vendbanime të tjera në mbarë vendin, ndërsa edhe Vuçiqi priti gati dy orë për të votuar. Agjencitë për hulumtimin e opinionit publik dhe vëzhgimin e zgjedhjeve, CeSID dhe Ipsos, vlerësuan se dalja në zgjedhje deri në orën 19:00 ishte 67,6 për qind, niveli më i lartë që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1992.
Vendvotimet u mbyllën në orën 20:00, ndërsa vlerësimet e para të rezultateve priten rreth orës 22:00.
Një fitore e studentëve do të përbënte një ndryshim të thellë politik në këtë vend ballkanik me rreth gjashtë milionë banorë, duke rikujtuar humbjen e Viktor Orbanit në Hungari në prill. Ajo mund të shërbejë gjithashtu si model për lëvizjet e tjera studentore në Evropë, të cilat gjatë javëve të fundit kanë dalë në rrugë për të protestuar, në disa raste edhe me dhunë, për shkak të standardeve të dobëta arsimore dhe mungesës së perspektivës.
“Dalja në zgjedhje nuk më befasoi, sepse gjatë dy viteve të fundit është krijuar një masë e madhe dhe e fuqishme”, tha votuesja Katarina Petroviq.
Vuçiqi, i cili dha dorëheqje gjatë mandatit të tij të dytë presidencial për të kandiduar sërish për kryeministër, hyn në zgjedhje nga një pozitë e fortë. Shumë votues e vlerësojnë për nxjerrjen e Serbisë nga margjinalizimi ekonomik dhe për periudhën e modernizimit të vazhdueshëm, përfshirë ndërtimin e autostradave, hekurudhave, shkollave dhe spitaleve të reja.
Sondazhet parashikonin garë të ngushtë zgjedhore
Vuçiqi premtoi rritje të pensioneve dhe pagave në sektorin publik, si dhe investime në sistemin shëndetësor shtetëror. Në planin ndërkombëtar, ai është përpjekur t’i forcojë lidhjet me Kinën, e cila është investitore e madhe, ndërsa ka ruajtur marrëdhënie të afërta edhe me Rusinë, aleaten tradicionale të Serbisë dhe furnizuesen kryesore të saj me gaz natyror.
Në të njëjtën kohë, Vuçiqi vazhdon të deklarojë se dëshiron që Serbia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, partnerit të saj më të madh tregtar, por në BE po rritet pakënaqësia për shkak të mungesës së reformave.
“Votova për fëmijët tanë, për të rinjtë tanë… fëmijët tanë meritojnë paqe dhe punë, dhe vetëm Vuçiqi mund t’ua sigurojë këtë”, tha Hatixha, një grua rome që votoi në zgjedhje.
Programi i brendshëm i studentëve synon çrrënjosjen e korrupsionit dhe përmirësimin e arsimit, por ata kanë qenë më të rezervuar sa u përket ambicieve të tyre në politikën e jashtme. Lista e tyre me 250 kandidatë, kryesisht të panjohur për publikun, përfshin profesorë universitarë, aktorë dhe fermerë, ndërsa udhëhiqet nga kardiologu Ilija Srdanoviq. Megjithatë, nuk është e qartë se kush do të bëhej kryeministër në rast të fitores së tyre.
“Shpresoj që kjo ditë të kalojë në atmosferë demokratike, në paqe dhe që në mënyrë legjitime të zgjedhim një qeveri të re në Serbi”, tha Srdanoviq pasi votoi herët në mëngjes në Novi Sad.
Pas votimit, Vuçiqi deklaroi se do ta respektojë rezultatin.
“Nëse humbim, do ta pranojmë vullnetin e votuesve; nëse fitojmë, askush nuk do të mund të na e marrë fitoren”, tha ai.
Sondazhet e realizuara para votimit parashikonin një garë të ngushtë për fitimin e 250 vendeve në parlament.
Kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Vladimir Dimitrijeviq, deklaroi se votimi kishte kaluar pa incidente, por ambasadori i BE-së në Serbi, Andreas fon Bekerat, në një postim në X shprehu shqetësim për “incidentet e dhunshme të raportuara” në disa vendvotime.
Organizatat vëzhguese CeSID dhe CRTA vunë në dukje incidente që lidhen me listën e votuesve dhe fshehtësinë e votës.
Protestat studentore rritën presionin ndaj Vuçiqit
Protestat në rrugë të udhëhequra nga studentët, të cilat nisën pas aksidentit në stacionin hekurudhor, u shndërruan shpejt në protestat më të mëdha të një brezi, me kërkesën që Vuçiqi të largohej nga detyra. Organizatat për të drejtat e njeriut dhe aktivistët thonë se që atëherë represioni është shtuar.
“Për dekada me radhë, njerëzit e kanë pritur këtë moment, diçka që do të sjellë shpresën se mund të jetojmë të lirë dhe sipas rregullave të demokracisë”, tha aktorja 48-vjeçare Jelena Stupljanin në një vendvotim në Beograd.
Vuçiqi dhe Partia e tij Përparimtare Serbe (SNS) i kanë mohuar vazhdimisht akuzat për represion, korrupsion dhe spiunim të kundërshtarëve politikë.
Vuçiqi pretendon se studentët financohen nga agjentë të huaj në Kroaci dhe Mal të Zi, akuzë të cilën studentët e kanë hedhur poshtë.
“Kjo ishte një nga fushatat më të vështira, por edhe më emocionuese”, u tha Vuçiqi mbështetësve të tij të enjten. “U përballëm me ata që donin ta shkatërronin Serbinë.”