Izraeli njoftoi se do t’i mbyllë të gjitha pikat tokësore të kalimit me Bregun Perëndimor të pushtuar ditën e zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen javën e ardhshme, raporton Al Jazeera.
Ushtria izraelite njoftoi në një deklaratë të dielën se do t’ua ndalojë punëtorëve palestinezë hyrjen në shumicën e zonave të Bregut Perëndimor nga e diela deri të hënën, ndërsa të martën, ditën e votimit, do të zbatojë mbylljen e plotë të pikave të kalimit drejt dhe nga ky territor.
Njoftimi vjen një ditë pasi ushtria izraelite vendosi bllokadë në Hebron dhe detyroi mijëra palestinezë të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Që nga sulmi i së premtes në qytet, të kryer nga dy persona të armatosur palestinezë në një bazë rezervistësh të ushtrisë izraelite, ushtria ka kryer qindra bastisje. Në sulm u vranë dy ushtarë izraelitë. Edhe dy palestinezët u vranë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, urdhëroi një “bllokadë të plotë” të Bregut Perëndimor pas sulmit, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmoi se “rreth 2.000” persona ishin zhvendosur me forcë.
“Atyre nuk do t’u lejohet të kthehen në lagjen e tyre derisa të përfundojmë trajtimin e të gjitha çështjeve që lidhen me Hamasin në Hebron”, tha Katz në një intervistë për transmetuesin publik Kan.
“Bllokadë e plotë”
Kryetari i Komunës së Hebronit, Yousef al-Ja’bari, i tha Al Jazeera-s se qyteti dhe disa fshatra përreth ishin nën bllokadë të plotë.
Ai tha gjithashtu të shtunën se 2.200 persona ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre si pasojë e bastisjeve dhe veprimeve të ushtarëve izraelitë.
Autoriteti Palestinez (AP), i cili qeveris pjesë të Hebronit dhe të Bregut Perëndimor, i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të mbrojtur banorët e Hebronit.
Banorët kanë thënë se ushtarët kanë njoftuar urdhra për evakuim të detyruar përmes altoparlantëve në orët e vona të natës, duke mos u lënë kohë të përgatiten dhe duke u ofruar pak mundësi për t’u strehuar diku tjetër.
Autoriteti Palestinez i cilësoi veprimet e Izraelit si “ndëshkim kolektiv”, duke përmendur shembjen e shtëpive, zhvendosjen e detyruar të lagjeve të tëra dhe “mbylljen dhe rrethimin e qyteteve palestineze”.
Rreth 200.000 palestinezë jetojnë në qytetin e Hebronit, ndërsa 600.000 të tjerë në rajonin e Hebronit, duke e bërë atë zonën më të populluar të Bregut Perëndimor.
Ushtria izraelite ka deklaruar se operacioni do të zgjasë disa ditë.
Megjithatë, Netanyahu la të kuptohet se po përgatitet një operacion edhe më i madh, duke thënë se po planifikon një operacion me përmasa të papara që nga pushtimi i Bregut Perëndimor nga Izraeli në vitin 1967.
Netanyahu, kryeministri me qëndrimin më të gjatë në detyrë në historinë e Izraelit, po përballet me një garë të ngushtë në zgjedhjet e së martës. Analistët thonë se ai po përpiqet të përfitojë nga konfliktet e vazhdueshme ushtarake në rajon dhe frika për sigurinë kombëtare, për të forcuar fushatën e tij për rizgjedhje.