Dalja në zgjedhje në Serbi deri në orën 18:00 arriti në 64,89 përqind

Deri në orën 18:00, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi kanë votuar 64,89 përqind e votuesve të regjistruar, njoftoi Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK). Dalja në zgjedhje është për gati 13 pikë përqindjeje më e lartë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit 2023, kur deri në të njëjtën kohë kishin votuar 51,93 përqind e votuesve, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave rajonale, dalja më e lartë në zgjedhje është regjistruar në Vojvodinë, ku kanë votuar 66,90 përqind e votuesve. Në Beograd dalja ishte 65,67 përqind, në Shumadi dhe Serbinë Perëndimore 64,53 për qind, ndërsa në Serbinë Jugore dhe Lindore 62,01 përqind.

Vendvotimet mbyllen në orën 20:00, por të drejtën e votës e kanë edhe të gjithë qytetarët që në atë moment gjenden në radhë para vendvotimit.

Gjatë konferencës për media, gazetarja e N1, Ivana Momçilloviq Odobašiç, tërhoqi vëmendjen për incidentet e shumta gjatë ditës së zgjedhjeve. Ajo përmendi përleshjet në Lazarevc, sulmin ndaj motoçiklistëve që mbështesin studentët në Nish, incidentet në Doljevac dhe Pançevë, si dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve. Ajo iu referua edhe të dhënave të organizatës vëzhguese CRTA, sipas të cilave janë regjistruar rreth 260 parregullsi.

Kryetari i RIK-ut, Vladimir Dimitrijeviq, konfirmoi se gjatë ditës kishte pasur incidente të ndryshme, por theksoi se shumica e tyre kishin ndodhur jashtë vendvotimeve. Për raste të tilla, siç shpjegoi ai, përgjegjëse janë Ministria e Punëve të Brendshme dhe prokuroritë, të cilat veprojnë në përputhje me ligjin.

Dimitrijeviq shtoi se kishte pasur mospajtime mes anëtarëve të komisioneve zgjedhore, veçanërisht gjatë hapjes së vendvotimeve, por se tensionet ndërkohë ishin ulur. Sipas tij, në shumicën e vendvotimeve procesi i votimit po zhvillohet normalisht, ndërsa parregullsitë më të vogla po zgjidhen me sukses nga komisionet.

Ai theksoi gjithashtu se qytetarët që konsiderojnë se u është shkelur e drejta e votës, për shembull nëse nuk u është mundësuar të votojnë, mund të paraqesin mjetet përkatëse juridike. Dimitrijeviq shprehu pritjen që dita e zgjedhjeve të përfundojë me sukses në të gjitha vendvotimet.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, 18 lista zgjedhore me gjithsej 2,418 kandidatë garojnë për 250 vende në Asamblenë Popullore, ndërsa nëntë prej listave përfaqësojnë pakicat. Të drejtë vote kanë 6,451,292 qytetarë, të cilët mund të votojnë në 8,392 vendvotime, transmeton Euronews.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00. Për të votuar, qytetarët duhet të kenë me vete letërnjoftimin ose pasaportën, si dhe dëshmi të vendbanimit nëse kërkohet.

Radhë të gjata janë krijuar që në orët e para të mëngjesit në Beograd dhe në qendrat e votimit në Serbinë qendrore, ku votojnë nga Kosova.

Në Rashkë, ku votojnë qytetarët nga pjesa veriore e Kosovës, radhët u formuan herët në mëngjes. Turma janë raportuar edhe në Rudnicë, ku votojnë qytetarët e komunës së Leposaviqit, si dhe në Vranjë, ku votojnë serbët nga Anamorava e Kosovës.

Sipas raportimeve të Tanjug, në Beograd qytetarët kanë pritur në radhë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës, ndërsa në disa qendra radhët u krijuan para hapjes së vendvotimeve.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë në detyrë, Marko Gjuriq, votoi pak pas orës 07:00 në vendvotimin numër 14, në kopshtin “Perla”, në Vraçar.

Në Novi Sad, votimi nisi në orën 07:00. Të drejtë vote kanë 345,943 qytetarë, të cilët mund të votojnë në 221 qendra votimi. Në shkollën fillore “Sonja Marinković”, në lagjen Grbavicë, vendvotimet 172, 173 dhe 174 u hapën me kohë. Radhët para shumë qendrave të votimit në qytet nisën të formoheshin rreth orës 05:00. Votimi po zhvillohet edhe në vendbanimet periferike.

Nga gjithsej 8,392 vendvotime, 93 janë jashtë Serbisë, 29 në institucionet për ekzekutimin e sanksioneve penale dhe 60 në Serbinë qendrore, të destinuara për votuesit nga Kosova dhe Metohia.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare u shpallën nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 9 shtator 2026, me propozim të Qeverisë. Partitë dhe koalicionet duhej të siguronin të paktën 10,000 nënshkrime mbështetëse dhe të dorëzonin dokumentacionin në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve deri më 4 tetor, ndërsa për listat e pakicave zbatohen kushte të veçanta

SerbiaZgjedhje parlamentare/lokale