Çifti bashkëshortor nga RMV që ndodhet në Gaza janë të sigurt, nuk dihet se kur do të evakuohet

Dy ambasadat e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Kajro dhe Tel Aviv, janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente të Egjiptit dhe Izraelit, me qëllim evakuimin e dy shtetasve tanë, një çift bashkëshortor, me vendndodhje në Gaza, konkretisht në qytetin Kan Junes, 12 kilometra nga vendkalimi kufitar Rafah. Momentalisht pritet që të krijohen kushte për evakuimin e tyre, gjë që në masën më të madhe varet nga kushtet në terren, të cilat për momentin nuk mund të parashikohen, njoftuan nga MPJ, transmeton Portalb.mk.

“Çifti u dërgua në Spitalin e Gjysmëhënës së Kuqe dhe aktualisht ndodhet në gjendje të mirë dhe të sigurt. Me ndërmjetësimin e PDK-ve tona ata janë futur në listën zyrtare për evakuim dhe presim që të krijohen kushte për evakuimin e tyre, gjë që në masën më të madhe varet nga kushtet në terren, të cilat për momentin nuk mund të parashikohen. Mbetemi në komunikim të përditshëm me ta, deri në evakuimin e tyre”, thonë nga MPJ.

Ndërkohë po punohet në identifikimin dhe mbledhjen e të dhënave për shtetas të tjerë të mundshëm që mund të gjenden në Gaza, për të cilat edhe një herë MPJ rikujton kontaktet: numrat e telefonit SOS të Ministrisë së Punëve të Jashtme – 075/273- 732 dhe 075/268-736, telefoni i shërbimit të Ambasadës në Tel Aviv +972-54-926-7378 dhe linja telefonike e Ambasadës në Kajros +201033615542

GazaIzraeliLuftëMinistria e Punëve të Jashtme (MPJ)