Sot u mbajt seanca e gjashtë e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale në Hagë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Mbrojtja e të akuzuarve argumentoi se nuk ka prova për krimet e pretenduara, ndërsa Prokuroria kërkoi që ata të shpallen fajtorë.
Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.