Çështja e mbrojtjes do të mbetet temë e nxehtë në BE, ambiciet e mëdha kërkojnë më shumë para

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Pas më pak se një vit liderët evropianë në nivelin më të lartë iu kthyen çështjes së mbrojtjes së përbashkët në samitin e tyre të marsit.

Me sa duket më shumë vëmendje shkaktuan deklaratat në “nxemjen” për Samitin Europian, sesa rezultatet e tij. I tillë ishte qëndrimi i presidentit francez Emanuel Makron sipas të cilit nuk duhet përjashtuar dërgimi i trupave perëndimore në Ukrainë, më vonë duke e zbutur se “tani nuk është koha për këtë”. Siç edhe pritej një numër i madh i vendeve të tjera anëtare të BE-së nuk u mahnitën nga deklaratat e këtilla, në rradhë të parë Gjermania, Spanja, Italia dhe Polonia.

Edhe NATO deklaroi se nuk ka ndërmend të dërgojë trupa tokësore në Ukrainë, me një deklaratë të qartë të ngjashme edhe nga SHBA-të. Shumë ekspertë i interpretuan deklaratat e Makronit si pjesë e një serie mesazhesh të përziera drejtuar Moskës.

Mirëpo nuk duhet harruar se ishte pikërisht Franca ajo që e vuri mbrojtjen në plan të parë të agjendës evropiane me idenë e autonomisë strategjike të BE-së, e cila më pas hyri në planet zyrtare të Bashkimit Evropian. Megjithatë, gjithashtu duhen pasur parasysh edhe disa fakte që ekspertët e kësaj fushe i theksojnë në debatin për mbrojtjen evropiane.
Kështu, të dhënat nga baza e të dhënave për eksportin e armëve të Institutit Ndërkombëtar Hulumtues për Paqe në Stokholm tregojnë se vitin e kaluar Franca ka zënë vendin e dytë në listën e eksportuesve botërorë të armëve nga Rusia, eksporti i të cilës po bie ndjeshëm. Franca ka rritur eksportin e armëve për 47% në periudhën pesëvjeçare 2019-2023 krahasuar me periudhën paraprake pesëvjeçare. Tani ky vend ka 11% të eksportit botëror të armëve. SHBA-të sigurisht që janë në krye të listës me një pjesë prej 43% në tregun global të armëve, krahasuar me 32% në periudhën pesëvjeçare paraprake. Nga ana tjetër, gjatë pesë viteve të fundit vendet evropiane pothuajse e kanë dyfishuar importin e armëve (të rritur për 94%), gjysma e të cilave vjen nga SHBA-të.

Njëkohësisht, analiza e Institutit të mirënjohur Gjerman për Ekonominë Globale nga Kieli, i cili ndjek alokimet për mbështetjen e Ukrainës, tregon se tek aleatët perëndimorë kryesojnë vendet nordike dhe baltike, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të, Franca nuk është në mesin e tyre.

Përpara samitit të fundit të krerëve të shteteve dhe qeverive kushtuar mbrojtjes, Komisioni Evropian parashtroi dy propozime.

I pari është Propozimi për një Strategji për industrinë evropiane të mbrojtjes, në formën e  një komunikate të përbashkët të Komisionit dhe Përfaqësuesit të lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, si një dokument më afatgjatë.

I dyti është Propozimi për krijimin e Programit për industrinë evropiane të mbrojtjes, propozim për rregullativë. Sipas deklaratave të vetë Komisionit, burimet financiare të propozuara me këtë Program në shumën prej 1.5 miliardë eurosh janë “modeste” dhe duhet të mbulojnë periudhën deri në ciklin e ardhshëm buxhetor shtatëvjeçar të Unionit, i cili fillon në vitin 2028. Këto propozime tani duhet të hyjnë në procedurë ndërmjet shteteve anëtare, gjegjësisht Këshillit të BE-së, i cili duhet ta definojë qëndrimin e tij deri në zgjedhjet e qershorit. Sidoqoftë, diskutimi do të vazhdojë pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Zelenski, Makron, Sholz. Foto nga Qeveria Gjermane: Federal Government/Kugler

Kandidatja për presidenten e re të vjetër të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po e përforcon seriozisht mbrojtjen në agjendën e saj, duke lajmëruar edhe një komisar për mbrojtjen në përbërjen e ardhshme të Komisionit. Megjithatë, duke pasur parasysh abstenimin e disa vendeve anëtare, rruga për më shumë mbrojtje në agjendën e Bashkimit Evropian nuk do të jetë e lehtë. Në mesin e tyre është Gjermania, e cila vëren se kompetenca për mbrojtjen është fillimisht e shteteve anëtare, e jo në nivel të Unionit.

Pyetja tjetër e nxehtë është se nga do të vijnë paratë për qëllimet ambicioze të mbrojtjes. I tillë është propozimi për përdorimin e fondeve të ngrira ruse nga masat kufizuese për furnizimin e Ukrainës me armë dhe municione. Edhe pse pretendohet se propozimi dalëngadalë po fiton më shumë mbështetës, ende kundër janë disa shtete anëtare, ndër të cilat Austria, Irlanda dhe Malta. Një tjetër propozim i tillë që është në “qarkullim” prej kohësh është rritja e mundësive për kreditimin e industrisë së mbrojtjes nga Banka Europiane e Investimeve.

Sipas rrjedhës aktuale të diskutimit, duke marrë parasysh tendencat më të gjera politike, mund të pritet që çështja e mbrojtjes të mbetet një temë e nxehtë në të ardhmen e afërt në BE.

Bashkimi Evropian (BE)Emanuel Makron (Emmanuel Macron)Malinka Ristevska JordanovaNATONATO - Maqedoni