Ceferin kundër finaleve arabe: Nuk do të ndodhin sa kohë jam unë president

Prej disa vitesh tashmë ka dalë në “modë” zhvillimi i finaleve të disa kompeticioneve, në Lindjen e Mesme, ku vetëm këtë vit janë zhvilluar 2 të tilla, ajo e Superkupës së Spanjës, mes “Galaktikëve”, të Real Madrid dhe “Katalanasve”, të Barcelona-s, si dhe ajo e Superkupës së Italisë, mes “Zikaltërve”, të Inter dhe “Bluve”, të Napoli-t, raporton ABC.

Mirëpo, nëse për këto kompeticione vendosin Federatat përkatëse, deri më tani nuk është regjistuar asnjë finale e madhe, në Lindjen e Mesme dhe me gjasë nuk do të ketë të tilla për një kohë të gjatë dhe këtë gjë e ka konfirmuar vetë, Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili gjatë një interviste për prestigjiozen, “The Telegraph” u premtoi tifozëve diçka të tillë.

“Askush nuk ka biseduar me mua për këtë temë dhe sigurisht që kjo nuk do të ndodhë. Tifozët japin shumë dashuri për këtë sport dhe ne nuk mund t’ua bëjmë këtë gjë”,- u shpreh tepër i prerë, “numri 1” i organit qeverisës më të rëndësishëm të futbollit në Evropë.

Më tej, slloveni foli edhe për “yjet” e futbollit evropian, të cilët u transferuan, në verë drejt Arabisë Saudite dhe tashmë po rikthehen, tejet të zhgënjyer në “Kontinentin e Vjetër”, teksa tha se shumica prej tyre që janë në “perëndim” të karrierës e bëjnë për të siguruar kontrata, mjaft fitimprurëse.

“Nuk kam qenë i shqetësuar, futbolli europian ka baza të forta. Kjo është historia jonë, kultura jonë, atë çka askush nuk e blenë dot. Nuk i fajësoj futbollistët për këtë pasi kontratat janë të majme. Nëse ata janë në fund të karrierës, mendojnë për një aventurë të re që do të sjellë shumë para”,- tha Ceferin, më tej gjatë intervistës së tij.

FIFAFutboll futbollist(e)UEFA