Mbi 100 mijë persona në Maqedoninë e Veriut punojnë pa marrëdhënie pune të rregulluar formalisht, në vende pune në biznese të paregjistruara ose si punëtorë familjarë të papaguar, transmeton Portalb.mk.
Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikës, kjo formë e punësimit në statistika evidentohet si punësim informal, ndërsa punëtorët si të punësuar informalë.
Gjithsej 101.022 persona konsiderohen të punësuar informalë, që paraqet rritje prej 7,2 përqind krahasuar me tremujorin paraprak.
Pjesa më e madhe e tyre punojnë në bujqësi, pylltari dhe peshkim, ku janë evidentuar 51.487 persona.
Pjesëmarrje të konsiderueshme ka edhe ndërtimtaria, ku janë të përqendruar 17,2 përqind e të punësuarve informalë.
Sipas Entit të Statistikave aktivitetet sezonale në bujqësi dhe ndërtimtari kanë ndikim të madh në lëvizjet e punësimit informal.
Në Maqedoninë e Veriut, gjatë tremujorit të analizuar, ishin të punësuar gjithsej 708.698 persona, ndërsa 90.020 ishin të papunë. Ndërsa kjo e vendos shkallën e papunësisë në 11,3 përqind.
Të dhënat tregojnë edhe dallime mes burrave dhe grave në tregun e punës. Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve, 57,7 përqind janë burra, ndërsa 42,3 përqind gra. Te të papunët, 63,6 përqind janë burra dhe 36,4 pë qind gra.