Bulevardi “Cvetan Dimov” drejt tenderimit, vendkalimi në “Bit Pazar” në procedurë

Bulevardi “Cvetan Dimov” në Çair pritet të hyjë në procedurë tenderimi deri në fund të këtij viti, bëri të ditur kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili tha se aktualisht po punohet për përfundimin e dokumentacionit të projektit, i cili më pas do t’u prezantohet edhe qytetarëve, transmeton TV21.

“Aty besoj se do të kemi një intensitet të fuqishëm, siç kemi në rrugën Brigada kosovaro-maqedonase, e cila është rrugë paralele me Cvetan Dimovin. Atje, nëse keni mundësi ju mediat, këto ditë zyrtarisht do të dalim në terren me kolegun Mexhiti. Atje kemi një lëvizje serioze, zgjerimi i trasesë ka filluar, ka filluar një ndërtim serioz i atij projekti kapital. Dhe nëse nuk e kam premtuar në programin tim parazgjedhor, kështu që pres të kthehem te “Cvetan Dimovi”, ta përfundojmë dokumentacionin e projektit, do ta prezantojmë këtë në publik, që të shihet”, tha Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit

I pyetur edhe për kalimin për këmbësorët në afërsi të Bit Pazarit, Gjorgjievski deklaroi se Qyteti i Shkupit është duke përgatitur një projekt në bashkëpunim me SPB Shkup dhe se së shpejti priten masa konkrete.

“Projekti nga sektori i komunikacionit i Qytetit të Shkupit po përgatitet dhe, në bashkëpunim me SPB Shkup, dhe së shpejti do të ketë veprime”, theksoi Gjorgjievski.

Përndryshe, është e mbyllur ura që përdorej për të kaluar qytetarët, ndërsa vendkalimi tjetër është rreth 300 metra më tej.

Sa i përket bulevardit “Cvetan Dimov”, projekti parashihet të realizohet në segmentin nga kryqëzimi me “Nikolla Karevin” deri te kryqëzimi me “Xhon Kenedi”, me vlerë 150 milionë denarë dhe afat realizimi 2026-2028. Gjatë kësaj periudhe duhet të zgjidhen disa çështje: të përpunohet projekti, të kryhet shpronësimi i objekteve, të ruhen drunjtë, si dhe të planifikohet gjelbërimi qendror.

Në të kaluarën, ky projekt ka hasur në vështirësi për shkak të tërheqjes së fondeve nga Qyteti i Shkupit për pagesat e borxheve të mëparshme, gjë që e shtyu fillimin e punimeve.

Gjatë vitit 2024 një muaj pasi kryetari i atëhershëm i Çairit, Visar Ganiu tha se me Danella Arsovskën nuk kanë komunikim dhe bashkëpunim për këtë projekt, Komuna e Çairit tha se 2,3 milionë eurot për projektin e zgjerimit të rrugës “Cvetan Dimov” apo të njohur si rruga e “Jahja Pashës”, Qyteti i Shkupit i ka tërhequr dhe i ka dedikuar për mbulimin e obligimeve Qytetit ndaj Ministrisë së Financave.  Nga Qyteti i Shkupit thanë atëkohë se paratë kanë kanë qenë lëndë e përmbarimit për shkak të borxheve nga udhëheqësia paraprake e qytetit në krye me Petre Shilegovin.

Problemi me kaosin në rrugën “Cvetan Dimov” të njohur si rruga e “Jahja Pashës” prej kohësh parashihet të zgjidhet me projekt të përbashkët mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit, por ky bashkëpunim deri më tani në terren nuk ka ndryshuar asgjë. Ky problem shumëvjeçar, nuk ka arritur të zgjidhet edhe gjatë mandatit të kryetarit paraprak të Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, i cili gjatë orës policore në bashkëpunim me komunën, vendosi një mur ndarës, me qëllim që të mos lejohet automjetet të kthejnë në mes të rrugës dhe të mos kalojnë qytetarët në vende ku nuk ka viza të bardha. Muri, sipas paralajmërimit ishte zgjidhje e përkohshme, por zgjidhja e tillë nuk është ndryshuar, ndërkaq kaosi vazhdon, sidomos në oraret kur qytetarët shkojnë dhe vijnë prej pune.

Tekstet paraprake për rrugën “Cvetan Dimov”:

Bit PazariKomuna e ÇairitOrce GjorgjievskiQyteti i Shkupit