Bomba ekologjike në Llojan: Arseni vijon të helmojë banorët, shteti nuk ju del në ndihmë

Maqedonia e Veriut assesi nuk mund të gjejë zgjidhje për pastrimin e minierës së arsenit dhe mineraleve të rrezikshme në fshatin Llojan. Problemet e ndotjes vijojnë të shkaktojnë dëme në mjedis dhe shëndetin e banorëve, të cilët janë lodhur duke kërkuar zgjidhje me vite. Zgjidhja afatgjate është depozitimi i mbeturinave në deponi të mbetjeve të rrezikshme, të cilën vendi nuk e ka. Për këtë, në procedurë qeveritare është dhënia me koncesion për shfrytëzimin e resurseve materiale në Llojan, nëse kjo nuk do të realizohet MMJPH paralajmëroi se do të shqyrtojnë mundësitë për zgjidhje të përhershme, shkruan Portalb.mk.

Bombë ekologjike

Banorët e fshatit Llojan minierën e arsenit e cila përmban edhe metale tjera të rrezikshme e konsiderojnë si bombë ekologjike, e cila ka ndotur tokat.

Ndërkaq një problem tjetër është se për shkak të arsenit banorët nuk kanë ujë të pijshëm.

Një banor i Llojanit për Portalb.mk tregoi se nuk mund të furnizohen me ujë nga puset sepse uji nuk është i pijshëm.

“Ujin nga puset e kanë bërë analizë dhe ka përmbajtje te mineraleve, metaleve dhe arseni”, tha Shqipdon Rexhepi.

Ai na sqaroi se deri më sot askush në Llojan nuk ka shkuar për tu bërë analiza të gjakut për të parë nëse kanë metale në gjak.

“Ka pasur shumë raste me kancer, ndoshta si pasojë e arsenit. Ne kërkojmë që uji i pijshëm të sillet sa më parë dhe arseniku në minierë të largohet, për të mbrojtur fshatin tonë dhe fshatrat përreth. Pluhuri i arsenit ngrihet në ajër, thithet nga njerëzit dhe kafshët, dhe ngjitet në pemë, perime, dhe drithëra që konsumohen nga ne. Kam dëgjuar se investitorë turq dhe gjermanë kanë dashur ta blejnë depozitën për metalet e shtrenjta, por politikanët kanë dashur të përfitojnë nga kjo”, tha Shqipdon Rexhepi.

Shqetësuese për banorët mbetet edhe shëndeti i fëmijëve, sepse në afërsi të deponisë, vetëm 100 metra larg ndodhet shkolla fillore “Rilindja”.

Një banor i Llojanit theksoi se deponia e arsenit paraqet rrezik për shëndetin e nxënësve sepse kundërmon erë të keqe sidomos kur frynë era pluhurin e arsenit e sjell deri te shkolla por e shtreson edhe nëpër arat afër fshatit.

“Po ashtu, po ndikon keq edhe në shëndetin e të gjithë popullatës. Me vite kemi apeluar që të gjendet një zgjidhje për deponinë nga organet shtetërore, dhe zgjidhje nuk ka. Ujin në fshatin Llojan e kemi të ndotur nga arseni. Ne komunë kam apeluar sa më shpejtë të kryhet ujësjellësi nga penda e Likovës, për arsye se nuk kemi ujë të pastër për pije në fshat”, tha Arsim Zimeri.

Si erdhi te problemi, tregon mikrobiologu

Për problemin me arsenin në llojan biseduam edhe me profesorin e mikrobiologjisë Mentor Zeqirin. Ai na dha më tepër detaje për këtë minierë.

Siç sqaroi ai, miniera e arsenit në fshatin Llojan thuhet se me eksploatimin e xeheve të kromit, antimonit i cili është i bashkuar si komponent me arsenin ka filluar nga koha e Perandorisë Osmane, pastaj në Mbretërinë Serbo – Kroato – Sllovene dhe punoi deri në vitin 1966 në kohën e Jugosllavisë.

“Në vitin 1966 miniera e Llojanit është mbyllur, mirëpo pas mbylljes, është lënë kjo deponi e cila rrezikon prej asaj kohe e deri më sot në këtë vendbanim. Duke e ditur se Arseni si element mjaftë toksik njihet si në kohët e lashta ku në atë kohë janë përgatitur shumë helme të renda nga arseni. Arseni është një ndër elementet më kancerogjene në të cilën edhe në rangun botëror zë një ndër vendet e para”, tha Mentor Zeqiri.

Arseni dhe mbeturinat e tjera minerale në minierën “Llojan”. Foto: Portalb.mk

Ai theksoi se sot në kohën bashkëkohore arseni lejohet në ujëra me koncentrim shumë minimal apo 0.01mg/litër.

“Para se të deponohej materiali, në deponi ekzistonte burimi kryesor i ujit “Vrella” që furnizonte banorët dhe kulturat bujqësore me ujë të pijshëm cilësor. Gjatë deponimit, ky ujë është ndotur me arsen, si dhe toka dhe kulturat përreth. Arseni depërton lehtë në ujërat nëntokësorë dhe lidhet me elemente të tjera toksike, duke shkaktuar ndotjen e parë nga deponia e minierës së fshatit Llojan”, tha Mentor Zeqiri.

Segmenti i dytë i ndotjes, siç tha ai vjen nga vjen nga serpentinët e kodrinave, të cilat përmbajnë antimon dhe arsen.

Arseni dhe mbeturinat e tjera minerale në minierën “Llojan”. Foto: Portalb.mk

Kërkohet zgjidhje

Zeqiri tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të zhvillojë një plan veprimi për të zgjidhur problemet e deponisë së fshatit Llojan.

“Tentativa të shumta për të zgjidhur këtë çështje kanë dështuar. Shpresojmë sa më shpejtë të kemi ujë të pijshëm cilësor, kjo ka qenë gjithmonë kërkesa jonë kryesore. Arseni vazhdon të ndotë vendbanimin dhe gjithë rajonin. Kjo deponi duhet të dislokohet dhe të përdoret në industri të ndryshme që përdorin arsenin si lëndë të parë,” tha mikrobiologu.

Arseni dhe mbeturinat e tjera minerale në minierën “Llojan”. Foto: Portalb.mk

Nga ana tjetër, nga Organizata Ekologjike “Sllupçan” theksuan se këtë problem të vjetër nuk kanë arritur ta zgjidhin asnjë qeveri dhe pushtet lokal.

“Fajtor jemi ne popullata sepse nuk kemi ndërmarrë ndonjë hap serioz për këtë problem, tani duhet që të adresohet sa më parë problemi te qeveria e re dhe kjo le të jetë si pjesë e 100 ditëve të para qeverisëse por edhe një sfidë për pushtetin e ardhshëm lokal”, tha Fejzulla Arifi.

Ministria paralajmëron “zgjidhje”

Zgjidhja afatgjatë për rehabilitimin e vendeve të kontaminuara është largimi dhe depozitimi i mbeturinave në një deponi të mbetjeve të rrezikshme, opsion i paraparë edhe në studimin ekzistues të fizibilitetit në Llojan.

Megjithatë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, aktualisht nuk ka deponi për mbeturina të rrezikshme të këtij lloji.

Në këtë kontekst, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) për Portalb.mk informoi se për shkak të interesimit të investitorëve, Ministria e Ekonomisë ka nisur procedurën për dhënien me koncesion të deponisë, sipas Ligjit për Burimet Minerale.

Zgjidhja e problemit, është largimi i mbetjeve dhe depozitimi në një vend tjetër jashtë vendit, për shfrytëzimin e mëtejshëm të metaleve është parashikuar si detyrim i koncesionarit.

Çdo aktivitet tjetër i përkohshëm i mbulimit dhe rrethimit nuk do të zgjidhë problemin e ndotjes.

“Sipas informatave nga Ministria e Ekonomisë, në lokalitetin “Llojan”, komuna e Likovës, ka filluar procedurë për ridhënien me koncesion për shfrytëzimin e lëndës së parë minerale, ndërsa është përgatitur informacioni në lidhje me iniciativën për fillimin e procedurës për dhënien e koncesionit për shfrytëzimin e resurseve minerale në lokalitetin Llojan, komuna e Likovës me Propozim – Vendim, i cili është në procedurë të Qeverisë”, thanë nga MMJPH.

Nga atje shtojnë se pas miratimit të Vendimit për fillimin e procedurës për dhënien e koncesionit për shfrytëzim nga Qeveria, vijon formimi i Komisionit dhe shpallja e Thirrjes Publike për dhënien e koncesionit për shfrytëzimin e mineraleve në Llojan.

“Nëse e njëjta nuk mund të realizohet, MMJPH do të shqyrtojë opsionet për zgjidhje të përhershme përmes fondeve të donatorëve dhe kontributit të brendshëm, siç është rasti me mbetjet e rrezikshme në Ohis”, përfunduan nga MMJPH.

Arseni dhe mbeturinat e tjera minerale në minierën “Llojan”. Foto: Portalb.mk.

Përndryshe, që nga viti 2021, Portalb.mk dhe Meta.mk vazhdimisht kanë shkruar për problemin e arsenit të shpërndarë në Llojan dhe Tabanoc, që është një nga pikat më të rrezikshme ekologjike në vend. Pavarësisht premtimeve të autoriteteve, problem në terren ende nuk është zgjidhur. 

Artikuj të gjatëHelmimKomuna e LikovësLikovaLlojaniMinistria e Ekonomisë dhe Punës (MEP)Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)Ndotja e ajrit - ajër i ndoturQeveria e Maqedonisë së Veriut