Artistët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Blerim Grubi, Nita Grubi dhe Arjana Kuriu Grubi, do të performojnë sonte në kuadër të edicionit të 16-të të festivalit Etno Fest, që po mbahet në fshatin Kukaj, afër Prishtinës, shkruan Portalb.mk.
Koncerti artistik është pjesë e programit të ditës së gjashtë të festivalit dhe do të zhvillohet nga ora 19:00 deri në 20:00.
Edicioni i sivjetmë i Etno Festit mbahet nga 3 deri më 10 gusht, ndërsa tema qendrore është “Kujtesa”. Në frymën e kësaj teme, tre artistët do të sjellin para publikut muzikë tradicionale dhe vepra të kompozitorëve shqiptarë, duke kujtuar dhe nderuar autorët që kanë kontribuar ndër vite në kulturën dhe artin kombëtar.
Blerim Grubi, i cili prej vitesh e ka përcjellë me interes Etno Festin, këtë vit është ftuar nga profesori Fadil Hysaj për të qenë pjesë e programit artistik. Ai ka theksuar se tema “Kujtesa” merr një domethënie të veçantë në një kohë kur ruajtja e memories kolektive dhe respekti për krijuesit e së kaluarës bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.
Përveç koncertit të artistëve nga Maqedonia e Veriut, programi i sotëm përfshin etno-performancë, prezantimin e filmit “Odiseu”, shfaqjen teatrore “Pesë fytyrat e heshtjes” të Teatrit “Migjeni” nga Shkodra, ndërsa mbrëmja përmbyllet me Etno Neja dhe grupin “Melodia e Vjetër”.
Etno Fest është festival i arteve dhe kulturës tradicionale, i cili në ambientin karakteristik të fshatit Kukaj bashkon muzikën, teatrin, filmin dhe forma të tjera të shprehjes artistike.