Bekteshi: Ahmeti deri në fund të javës do të shpallë hapat që do të ndërmerren për parandalimin e majorizimit

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të ndërmerr mekanizma demokratikë, për të mbrojtur legjitimitetin e shqiptarëve, tha mbrëmë në një paraqitje për TV Sitel, ministri i Ekonomisë dhe deputet i BDI-së, Kreshnik Bekteshi, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, ato mekanizma bazohen në faktin se BDI-ja si lider i “Frontit Evropian” ka marrë më shumë besim nga shqiptarët në vend, siç tha ai, me një diferencë prej mbi 30 mijë votash dhe me gjashtë mandate më shumë se koalicioni “VLEN”.

“Kërkojmë që frymën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ta respektojë edhe mandatari, në këtë rast ndoshta do të jetë Hristijan Mickoski. BDI është treguar gjithmonë si parti shtetformuese dhe do të përdorë të gjithë mekanizmat demokratikë. Nuk po flas për mekanizma që duam të trembim popullin. BDI dhe lideri i saj janë ideologët e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Aty jepet fryma dhe drejtimi se si duhet të lëvizë shteti për të krijuar harmoni ndëretnike dhe të brendshme në shoqëri, që të kemi një shtet të qëndrueshëm”, tha ai.

Ai nuk beson, siç theksoi, se dikush ka thënë se nuk do të ketë stabilitet në vend nëse BDI nuk është pjesë e qeverisë, gjegjësisht shtoi se BDI nuk kërkon të jetë në qeveri me çdo çmim.

“BDI kërkon respektimin e legjitimitetit të shumicës së shqiptarëve dhe komuniteteve tjera etnike që jetojnë në vend”, thotë Bekteshi.

Ahmeti, siç tha Bekteshi, nuk ka humbur asnjëherë zgjedhje, por gjithmonë ka fituar besimin e qytetarëve nga blloku shqiptar.

Bekteshi ka bërë të ditur se kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, deri në fund të javës do të shpallë hapat konkretë që do të ndërmerren për parandalimin e majorizimit.

“Tek ne si anëtarë të kryesisë së BDI-së, idetë vijnë nga intelektualë dhe njerëz që kanë kontribuar shumë për vendin. Jo vetëm shqiptarë, por edhe nga bashkësitë tjera etnike. Ne kemi diskutuar tashmë disa opsione. Opsionet janë të shumta, por deri në fund të javës do të ketë hapa konkretë që do të ndërmerren dhe do të shpallen nga kryetari i partisë, Ali Ahmeti”, thotë Bekteshi.

Sa i përket riorganizimit të institucioneve shtetërore të paralajmëruara nga VMRO-DPMNE, Bekteshi pret që propozimet për riorganizim të bëhen të ditura fillimisht në opinion para se të hyjnë në procedurë parlamentare.

Komuniteti ndërkombëtar, siç tha ai, nuk duhet të kërkojmë të ndërmjetësojmë mes nesh këtu pas gjithçkaje që kemi kaluar ndër vite.

“Ne jemi pjekur si vend në atë nivel, ku duhet të ulemi dhe të flasim dhe të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të mendojmë se si mund të ecë vendi përpara”, thotë ai.

Sipas tij, nëse BDI do të jetë opozitë, do të jetë konstruktive me propozime konkrete, në kuadër të demokracisë.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar dje përmes një komunikate ndaj deklaratës së partisë VMRO-DPMNE në të cilën kanë thënë se lideri i integristëve, Ali Ahmeti, të mos sillet si fëmijë i djallëzuar që qan për një lodër që nuk është e tij.

Reagimi i BDI-së erdhi pasi dje VMRO-DPMNE-ja i është përgjigjur konferencës për media të Ali Ahmetit, të cilën e mbajti në selinë e partisë në Reçicë të Vogël, nga ku tha se VMRO-DPMNE e ka bazuar të gjithë fushatën e saj kundër shqiptarëve dhe BDI-së në formën e një lufte të sofistikuar, duke përdorur një narrativë naziste.

Pas kësaj ka mbërritur një përgjigje nga VMRO-DPMNE, në të cilën thonë se nuk ka as majorizim, as shovinizëm dhe as nuk ka rëndësi që Ahmeti është ndjerë i ofenduar. Është e rëndësishme, shtuan ata, që vullneti i shumicës është që BDI të shkojë në opozitë dhe të përballet me përgjegjësi.

Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6.

Mirëpo, pas rivotimit me 22 maj në shtatë vendvotime për shkak të parregullsive gjatë votimit të 8 majit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet e ndryshuara, sipas të cilave koalicioni VLEN fitoi një deputet më tepër, duke i bërë 14 deputetë, ndërsa Fronti Evropian humbi një deputet, i cili shkoi për VLENIN.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Fronti EvropianKreshnik BekteshiVMRO-DPMNEZgjedhje parlamentare RMV 2024