Barazia gjinore inkurajon pjesëmarrjen e grave në politikat e jashtme, mesazh nga paneli i UN Women dhe MPJ-së në Shkup

Sot në Shkup u shënua Dita Ndërkombëtare e Grave përmes një paneli të organizuar nga UN Women në Maqedoninë e Veriut dhe Ministria për Punë të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, transporton Portalb.mk.

Ata theksojnë rëndësinë e politikave gjithëpërfshirëse që inkurajojnë pjesëmarrjen e grave në të gjitha nivelet e politikës së jashtme, duke vlerësuar rolin kryesor që gratë kanë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe përpjekjet diplomatike.

“Është thirrje për të njohur kontributin kritik të gruas dhe rolin e tyre të domosdoshëm në diplomaci dhe ne të gjithë, çdo ditë, do të mbështesim mundësi të barabarta për të gjitha gratë në të gjitha lëmitë e jetës, duke përfshirë edhe diplomacinë”, tha Vesna Ivanoviq-Kastarede, shefe e Zyrës së UN Women në Maqedoninë e Veriut.

Ajo theksoi që përfaqësimi i grave është akoma i vogël, duke raportuar që vetëm 20.54 përqind e ambasadorëve janë gra.

“Është në përgjegjësinë tonë kolektive që të vazhdojmë të ngrisim dhe të fuqizojmë gratë – të cilat janë krijuese të ndryshimeve në mbarë globin. Është vërtetuar rishtazi se pa përfshirjen e grave nuk mund të arrihet paqe dhe siguri e qëndrueshme”, vlerësoi zëvendësministrja Fatmire Isaki.

Në këtë panel mori pjesë edhe zëvendësambasadorja franceze Emmanuelle Gardille, ambasadorja suedeze Ami Larsson Jain, ambasadori spanjoll Jose Luis Lozano Garcia dhe ambasadorja gjermane Petra Drexler.

Shkup, Dita Ndërkombëtare e Grave në Diplomaci. Foto nga UN Women.

“Lufta për të drejtat e grave është në rrezik. Gratë dhe vajzat nuk mund të luftojnë të vetme. Burrat dhe djemtë nuk mund të përparojnë vetëm. Le të thyejmë barrierat së bashku dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë. Këtë ua kemi borxh brezave që do të vijnë”, deklaroi Teuta Agai Demjaha, ambasadore dhe përfaqësuese e RMV-së në Zyrën e OKB-së.

Zyra e UN Women në RMV tregoi që në një hulumtim të kryer së fundmi është konstatuar që Qeveria duhet të integrojë plotësisht çështjen gjinore në institucione për punë të jashtme, nëse ka për qëllim arritjen e barazisë gjinore dhe “politikë të jashtme feministe”.

Ndryshe, OKB-ja në vitin 2022 e ka shpallur 24 qershorin – Ditë Ndërkombëtare të Grave në Diplomaci. Kjo ditë shërben për të përkujtuar përparimin e përafrimit të grave në diplomaci.

Barazi gjinoreDhuna ndaj graveGra të suksesshmeMinistria e Punëve të Jashtme (MPJ)Organizata Kombet e Bashkuara (OKB)