Banorët e Likovës janë të shqetësuar për gjendjen e digës së Gllazhnjës dhe të Likovës sepse, sipas tyre, struktura e murit të digës ka plasaritje dhe ndjehen të rrezikuar nga shembja eventuale e saj. Ata kërkojnë nga institucionet përkatëse të investojnë për siguri më të madhe të saj. Edhe pse kontrolli i fundit i digës është bërë në vitin 2023, nga Komisioni i Digave si organ që shyrton raportet e kontrollit, nuk kanë mundur të konstatojnë qëndrueshmërinë e digës në fjalë sepse nuk janë ofruar të dhëna të mjaftueshme nga kryerësi i kontrollit. Nga ky komision megjithatë, na thanë se nëse ka informata shqetësuese nga terreni për sigurinë e digës ata do të veprojnë, shkruan Portalb.mk.
Digat të jenë të sigurta përndryshe nuk paguajmë
Në Komunën e Likovës ka dy liqene artificiale me dy diga, Liqeni i Gllazhnjës (diga e epërme) dhe Liqeni i Likovës (diga e poshtme). Disa banorë të fshatit Likovë në një bisedë për Portalb.mk shprehën shqetësimin e tyre për gjendjen e murit të Digës së Gllazhnjës dhe Likovës. Banorët shprehin shqetësim kryesisht për digën e Liqenit të Gllazhnjës, pasi, sipas tyre, ajo paraqet rrezik për shkak të dëmtimeve në strukturë dhe mungesës së investimeve ndër vite. Banorët kërkojnë nga institucionet përkatëse që të rishikohet gjendja e murit, pasi ndihen të rrezikuar nga mundësia e shembjes së digës dhe përmbytjeve që kjo mund të shkaktojë. Ata thonë se nuk do të paguajnë llogaritë e ujit nëse ky problem nuk zgjidhet.
Në qershor të vitit 2024 kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi për Portalb.mk tregoi se çdo qytetar është i obliguar të paguajë 18.200 denarë me 18% TVSH (350 euro), për kyçje të ujit në mënyrë legale për tu furnizuar me ujë të pijshëm deri në shtëpitë e tyre, dhe për këtë duhet të marrin leje nga komuna.
Ndërsa më 28 mars 2025 ai njoftoi banorët se ka përfunduar projekti i ujësjellësit për banorët e kësaj komune, dhe se prej me 3 prill 2025 mund të aplikojnë për kyçje në ujin e pijshëm.
Megjithatë, banorët e fshatit Likovë nuk pajtohen me tarifën që duhet të paguajnë, ata madje kanë krijuar një peticion online ku e kundërshtojnë këtë vendim. Po ashtu, kërkojnë rregullimin e të dy pendave, pasi sipas tyre ka çarje në murin e brendshëm të digës së Gllazhnjës në Likovë, që duhet të ketë sanim teknik për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.
“Të fillojë urgjentisht meremetimi i dy pendave – ka çarje te muri i brendshëm dhe kjo përbën rrezik të drejtpërdrejt në jetët e banorëve të Likovës (dëshmi përmes video incizimeve). Të merret seriozisht komuna dhe institucionet e tjera të këtij shteti – Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut – me sanimin dhe meremetimin teknik të pendave dhe të largohet një herë e përgjithnjë rreziku që qëndron mbi kokat tona”, thuhet në peticionin online.
Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave thonë se në bazë të Ligjit për ujërat, institucioni kompetent për gjendjen e digave është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit.
“Për të vlerësuar qëndrueshmërinë e digave, është krijuar një komision për diga me interes të veçantë, i cili duhet të raportojë për gjendjen çdo vit. Diga e Gllazhnjës menaxhohet nga SHA “Ekonomia e Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ndërsa Komuna e Kumanovës dhe Komuna e Likovës, gjegjësisht ndërmarrjet e tyre të ujësjellësit janë përgjegjëse për ujin e pijshëm. Sipas kompetencave të përcaktuara, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë të Ujërave nuk ka kompetencë të veprojë për gjendjen e digave”, thanë nga Ministria e Bujqësisë.
Nga Komuna e Likovës thonë se nuk janë kompetentë për ta konstatuar rrezikshmërinë e Digave të Gllazhnjës.
“Në bazë të ligjeve pozitive të cilët janë në fuqi në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Liqeni i Gllazhnjës dhe Penda e Likovës janë në kompetencë të drejtorisë së ujërave në kuadër të Qeverisë, mundësisht drejtohuni te drejtoria e ujërave”, thanë nga Komuna e Likovës.
Në një vijë me komunën është edhe drejtori i NPK “Penda”, Hamdi Sherifi.
“Sa i përket çështje së liqenit se a është në rrezikshmëri ne nuk jemi kompetentë për ta konstatuar këtë, dhe për këtë është Drejtoria e Ujërave që i menaxhojnë, dhe ato kanë përgjegjësi. Sa i përket rrezikshmërisë nga liqeni nuk kam informacione shtesë, dhe mendoj se është e logjikshme që kur ke ujë mbi kokë ndjehesh i rrezikuar. Por banorët më shumë e kanë çështjen e pagesës se sa të rrezikshmërisë, por mendoj se e kanë të drejtën e tyre për të kërkuar zbritje në çmim për pagesën e kyçjes së ujit”, tha Sherifi.
Sipas nenit 197 të Ligjit për ujërat, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor si organ kompetent për çështjet që lidhen me digat si objekte hidroteknike, formon Komisionin për Diga, i cili është kompetent për çështjet që kanë të bëjnë me projektimin, ndërtimin dhe menaxhimin e digave dhe akumulimeve.
Sipas Ligjit për ujërat, Komisioni për Diga përbëhet nga shtatë anëtarë të zgjedhur nga radhët e ekspertëve dhe studiuesve të shquar në fushën e hidroteknikës së digave, të emëruar nga Ministri.
Çfarë tregojnë mbledhjet e Komisionit për Diga që vlerësojnë sigurinë e tyre?
Kryetar i Komisionit të Digave është Ljupço Petkovski, dhe anëtarët e tjerë janë Zekirija Idrizi, Krste Najdenkoski, Zoran Markov, Zlatko Ilijoski, Sllavko Milievski, dhe Toni Arandjelovski.
Nga tre procesverbalet e fundit e mbledhjeve të Komisionit të Digave të cilat i siguroi Portalb.mk, Diga e Likovës u përmend në mbledhjen 32-të Komisionit të Digave. e cila u mbajt me 20 shtator 2024 në të cilën morën pjesë gjashtë anëtarë, ku në rendin e ditës i trajtuan tri pika kryesore.
“Në pikën e parë u diskutua për miratimin e procesverbalit të mbledhjes së kaluar, i cili u miratua pa vërejtje, kurse në pikën e dytën theksuan se shqyrtimi i 16 elaborateve për stabilitetin e digave nga SHA “Ekonomia e Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nga to, 10 elaborate u vlerësuan si të përgatitura me cilësi të kënaqshme dhe me vlerësim pozitiv për stabilitet. Ndërsa për 6 elaborate, përfshirë edhe digën e Likovës, projektuesi përgjegjës nuk kishte një përfundim të qartë mbi stabilitetin, andaj nuk u dha vlerësim përfundimtar për sigurinë e saj. Në pikën e fundit theksohet se nga pamundësia për të inspektuar disa pjesë të digës, mungojnë dokumentet për të vlerësuar atë, si dhe se as fotografi të reja nuk janë siguruar”, thuhet në proces-verbalin e mbledhjes së 32-të Komisionit të Digave.
Komisioni i Digave në këtë mbledhje rekomandoi përmirësime në procesin e matjeve dhe dokumentacionit teknik, si dhe kërkoi që elaboratet të dorëzohen më herët në të ardhmen për të mundësuar vlerësim më të saktë dhe të plotë të sigurisë së digave.
Ndërsa, nga mbledhja e 33-të e Komisionit për Diga, e mbajtur me 28 tetor 2024, nuk është përmendur Diga e Likovës, por në pikën e dytë anëtari i komisionit Slavko Milevski propozoi të bëhen matjet teknike rregullisht, si kontrolle vizuale, matje të ujit, presioneve dhe tërmeteve për gjitha digat në vend. Në këtë mbledhje anëtarët e komisionit nuk dhanë rekomandime apo kërkesa shtesë.
As në mbledhjen e 34-të të Komisionit për Diga, e cila u mbajt me 4 qershor 2025, nuk është përmendur Diga e Gllazhnjës, por u diskutua për shqyrtimin e elaborateve për vlerësimin e stabilitetit dhe funksionalitetit të digave, ku u shqyrtuan 8 elaborate për stabilitetin e digave në pronësi të Shoqatës Aksionare “Centralet Elektrike të Maqedonisë së Veriut, të dërguara më 10.05.2025.
Në një bisedë të Portalbit me njërin nga anëtarët e Komisionit i cili nuk deshi të përmendet me emër, na tha se nëse ka informata shqetësuese nga terreni për sigurinë e digës ata do të veprojnë.
Diga e Gllazhnjës s’ka vlerësim përfundimtar në vitin 2023
Sipas të dhënave nga tabela për elaboratet e vlerësimit të stabilitetit me oskultacion për vitin 2023, të përgatitura nga SHA “Ekonomia e Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut” për digën e Gllazhnjës nuk është dhënë vlerësim për stabilitetin, për shkak të mungesës së të dhënave të mjaftueshme për të nxjerrë një përfundim. Gjithashtu, mungon nënshkrimi i projektuesit përgjegjës, i cili do të garantonte përgjegjësinë profesionale për sigurinë e digës.
Tabela për elaboratet e vlerësimit të stabilitetit me oskultacion për vitin 2023, nga SHA Ekonomia e Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut.Portalb.mk siguroi raportin e vitit 2023 nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor bëhet vlerësimi i stabilitetit dhe funksionalitetit të digave kryesore bazuar në të dhënat e monitorimit, ku stabiliteti është shqyrtuar përmes elaborateve SHA “Ekonomia e Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Megjithatë, gjatë periudhës 2018-2022 monitorimi teknik nuk ka qenë i plotë, ndërsa mungesa e disa të dhënave për vitin 2022 tregon nevojën për përmirësim në mbikëqyrje dhe mirëmbajtje, për të siguruar funksionimin dhe sigurinë e digave në të ardhmen.
Në shtator të vitit 2024, Ministria e Mjedisit dorëzoi në Komisionin për Diga elaboratet për vlerësimin e stabilitetit të 16 digave të rëndësishme në vend, të drejtuara nga ndërmarrja SHA “Ekonomia e Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Komisioni i shqyrtoi dhe konstatoi se shumica e tyre janë përgatitur në përputhje me kriteret, nga firma dhe inxhinierë të licencuar.
Megjithatë, një mangësi e rëndësishme është se në shumë prej këtyre dokumenteve mungon emri i qartë i projektuesit përgjegjës – personi që sipas ligjit mban përgjegjësi për sigurinë e digës. Komisioni ka supozuar se është emri i parë në listë, por kërkon konfirmim zyrtar nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup.
Një tjetër problem është se elaboratet janë dorëzuar me disa muaj vonesë, në shtator në vend që të dorëzoheshin deri në prill. Kjo ngre shqetësime për realizimin në kohë të rekomandimeve për mirëmbajtje dhe monitorim gjatë vitit 2024, pasi mund të ndodhë që dokumentet të miratohen shumë vonë për të pasur efekt praktik.
SHA “Ekonomia e Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut”: Elaboratet për digat janë përgatitur dhe dorëzuar me kohë
Nga SHA “Ekonomia e Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut” për Portalb.mk theksuan se sipas rregullores, çdo dy vjet duhet të përgatiten elaboratet për vlerësimin e stabilitetit të digave dhe terrenit përreth, si dhe elaborati për oskultacionin gjeodezik.
“Elaboratet e fundit për analizën dhe vlerësimin e stabilitetit dhe funksionalitetit të digave në Likovë dhe Gllazhnjë me objektet përcjellëse dhe akumulimin, si dhe për stabilitetin e terrenit rreth digës, objekteve përcjellëse dhe akumulimit, dhe Elaborati për skulpturën gjeodezike të digave Likovë dhe Gllazhnjë janë përgatitur në vitin 2024”, thanë nga SHA “Ekonomia e Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Nga atje thanë se elaboratet për stabilitetin dhe funksionalitetin e digave i dorëzojnë në kohë institucioneve kompetente. Redaksia e Portalbit i kerkoi edhe elaboratet në fjalë, por sipas këtij institucioni, bëhet fjalë për objekte kapitale me rëndësi strategjike dhe prandaj nuk mund të na japin.
Në digën e Gllazhnjës janë të angazhuar katër operatorë: Ekrem Shaqiri, Murtez Xhaferi, Muzafer Ramani dhe Arif Ademi.
Kujtojmë se në nëntor 2024 pranë liqeneve të Likovës dhe Gllazhnjës u krijuan deponi të egra ambalazhet plastike, dhe lloje të tjera të mbeturinave, ndërsa mungesa e mirëmbajtjes adekuate reflekton neglizhencë të dukshme ndaj kujdesit dhe ruajtjes së këtyre burimeve jetike.
Ngjashëm, në nëntor 2024, në Liqenin e Likovës u krijua një deponi e egër e stërmbushur me mbeturina të ndryshme. Megjithëse Inspektorati Komunal premtoi atëherë se do ta pastrojë, nuk u ndërmorën masa konkrete për pastrimin e saj.