Banorët e fshatrave të Likovës ende mbushin ujë nëpër çezma publike, komuna ende nuk ka leje nga ministria për ujësjellësin

Banorët e Komunës së Likovës edhe këtë verë e kalojnë duke mbushur ujë nëpër çezma, për shkak të mungesës së ujit të pijshëm dhe punimeve të papërfunduara të ujësjellësit, të cilat premtohen për shumë vite. Komuna e Likovës dhe Ministria e Transportit arsyetohen se ende është duke u bërë testimi i ujësjellësit, shkruan Portalb.mk.

Banorët e Komunës së Likovës nga mungesa e ujit të pijshëm me dekada mbushin ujë nëpër burime, si në fshatin malor Allashec, kjo për shkak se autoritetet nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje për këtë problem, edhe pse i njëjti është premtuar me vite.

Ndonëse se kishte shpresë për zgjidhjen e këtij problemi, kjo gjendje ata i shoqëron edhe këto ditë të nxehta vere.

Portalb.mk kontaktoi kryetarët e fshatrave të Komunës së Likovës, disa prej tyre thanë se ende nuk është bërë lëshimi i ujësjellësit.

Banorët e Likovës për Portalb.mk u shprehën të shqetësuar dhe të mërzitur nga kjo gjendje në të cilën ndodhen.

Një banor i fshatit Opajë u shpreh i revoltuar pasi në mungesë të ujit të pijshëm ata duhet të mbushin ujë në çezma të ndryshme.

“Për më shumë vite, ne jemi përballur me mungesën e ujit të pijshëm dhe shpesh jemi detyruar të përdorim burime tjera, të cilat nuk janë të sigurta. Kushtet e vështira bëhen akoma më të padurueshme gjatë muajve të verës kur puset tona janë më të thata. Unë gati çdo javë, shkoj mbushi ujë në Allashec, sepse ky ujë thonë se është i pijshëm sipas analizave që ja kanë bërë, sa mund të jetë e vërtetë nuk e dimë as ne, edhe pse jetojmë këtu. Pavarësisht, premtimeve të shumta, ne ende nuk kemi ujë të pijshëm. Ky problem ndikon negativisht në shëndetin dhe mirëqenien tonë të përditshme, si dhe në zhvillimin ekonomik”, tha Samet Mustafa.

Një banor tjetër i fshatit Sllupçan, thotë se që kur ka lindur e deri sot që është 20 vjeçar ballafaqohen me këtë problem.

“Ky shtet nuk ka për të përparuar kurrë, prej kur kam filluar të mbaj mend unë si fëmijë, ne ujë të pijshëm nuk kemi. Tash koha e nxehtë, temperaturat e larta shkojnë në 40 gradë, dhe ne detyrohemi të vijmë në fshatin Allashec, për të mbushur ujë. Ne kërkojmë me ngulim që autoritetet përkatëse, të përshpejtojnë punimet për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit, dhe sa më shpejtë të kemi ujë të pijshëm, edhe pse nuk e besoj se do bëhet, por më besoni se më jemi lodhur nga këto premtime të pa realizuara”, tha një 20 vjeçar.

Komuna e Likovës për Portalb.mk thotë se është duke u bërë testimi i filtër stacionit të ujësjellësit.

“Është duke u be testimi i filterstacionit dhe pas kryerjes të këtyre procedurave do na jepet leja e shfrytëzimit nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve”, thanë nga Komuna e Likovës.

Edhe nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thonë se është duke u kryer testimi i ujësjellësit.

“Pas kryerjes së testimit të ujësjellësit, në Komunën e Likovës, autoritetet mbikëqyrës që mbikëqyrin zbatimin e projektit, do të na dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm teknik në Ministrinë e Transportit dhe ministria do të lëshojë leje të kategorisë A”, thanë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Kujtojmë se më 20 qershor 2024, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thanë se gjatë ndërtimit të ujësjellësit, kishte pengesa por të gjitha janë tejkaluar deri në atë moment edhe se në tre javët e ardhshme do të kryhej inspektim i sistemit të ujësjellësit.

Ndryshe, projekti kapital i rrjetit të ujësjellësit në Komunën e Likovës premtohet me vite të tëra, punimet janë zvarritur vazhdimisht ndërsa projekti nuk ka përfunduar ende.

Komuna e LikovësLikovaMinistria e Transportit dhe Lidhjeve (MTL)UjësjellësiUji - ujë