Një baba dhe djali i tij nga Gostivari për shtatë vjet kanë jetuar nën kërcënime nga dy shtetas turq, të cilët përmes shantazheve u kanë marrë ar dhe prona me çmime shumë të ulëta, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme, transmeton Portalb.mk.
Njësia e Jashtme për Çështje Kriminalistike në Gostivar ka ngritur kallëzim penal ndaj dy shtetasve turq – T.D. (55) dhe Z.D. (54), nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “zhvatje”.
“Sipas kallëzimit, të dyshuarit, në mënyrë të vazhdueshme, nga viti 2019 deri në vitin 2026, përmes kërcënimeve kanë detyruar një 66-vjeçar nga Gostivari dhe djalin e tij 41-vjeçar t’u dorëzojnë ar të përpunuar me peshë totale prej 43 kilogramësh e 800 gramësh. Ata, në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare, ia kanë llogaritur vlerën arit si lëndë e parë e shkrirë dhe jo si produkte të përpunuara, të cilat kanë një vlerë dukshëm më të madhe në treg”, njoftuan nga MPB-ja.
Në shkurt të vitit 2025, sipas kallëzimit, situata është përshkallëzuar më tej. Përmes mesazheve me përmbajtje shantazhuese dhe kërcënuese, të cilat u dërgoheshin djalit 41-vjeçar dhe anëtarëve të familjes së tij, të dyshuarit e kanë detyruar babanë e tij 66-vjeçar të nënshkruajë një parakontratë për shitblerjen e një prone të paluajtshme, pa iu lexuar përmbajtja. Parakontrata është nënshkruar te një noter në Gostivar.