Automjeti i UNICEF-it në Gaza u godit me municione nga Izraeli

Një automjet i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) u godit nga municione të gjalla ndërsa shoferi po priste të hynte në veri të Gazës, tha në Platformën X Departamenti i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut të UNICEF-it, transmeton Portalb.mk.

“Automjeti i UNICEF-it që priste dje të hynte në pjesën veriore të Gazës është goditur nga municione të drejtpërdrejta. Çështja e incidentit është ngritur me autoritetet përkatëse izraelite. Për fat të keq, punonjësit e ndihmës vazhdojnë të përballen me rreziqe kur ofrojnë ndihma për shpëtimin e jetëve”, thuhej në postim.

Punonjësit humanitarë dhe shëndetësorë nuk kursehen në Gaza. Në sulmet e ushtrisë izraelite në Gaza, deri më tani janë vrarë rreth 200 punëtorë humanitarë, që është një numër rekord, sipas të dhënave të organizatës “Aid Worker Security Database”.

Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se më shumë se 170 punonjës të saj kanë vdekur në Gaza, numri më i madh i viktimave në mesin e personelit të OKB-së në historinë e organizatës botërore. Sipas një raporti të OKB-së të 29 marsit, 15 punëtorë të Gjysmëhënës së Kuqe palestineze u vranë gjithashtu.

Tensionet në Lindjen e Mesme u përshkallëzuan më 7 tetor, Hamasi sulmoi territorin izraelit nga Rripi i Gazës.  Ushtria izraelite u kundërpërgjigj me sulme ajrore dhe raketa, sulme gjenocidale duke vrarë mbi 33 mijë civil në Rripin e Gazës, si dhe një bllokadë të plotë të enklavës palestineze.

GazaGjenocidIzraeliKrime lufteLuftëMunicionePalestinaUNICEF