Armata e RMV-së angazhoi 200 anëtarë shtesë për të luftuar zjarret

Bazuar në nevojën dhe kërkesat e treguara për vëllim më të madh të angazhimit në shuarjen e zjarrit, predentja e shtetit dhe Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova, mori vendim që të angazhohen edhe 200 pjesëtarë të ushtrisë në përpjekje për shuarjen e zjarreve, njofton Shtabi i Përgjithshëm, transmeton Portalb.mk.

“Nga Shtabi i Përgjithshëm është lëshuar urdhër për vënien në gatishmëri dhe angazhimin e 200 ushtarakëve shtesë nga Komanda Operative dhe Komanda e Stërvitjes dhe Doktrinës, duke e çuar numrin total të personelit të angazhuar të ushtrisë në 300”, bëjnë të ditur nga Shtabi.

Së bashku me 100 anëtarët ekzistues, të cilët janë angazhuar që nga fillimi i shpalljes së gjendjes së krizës, forcat shtesë do të kryejnë aktivitete në lokacionet ku ka nevojë dhe që do t’u caktohen nga Qendra e Menaxhimit të Krizave, e cila është përgjegjëse për koordinimin e të gjitha institucioneve të përfshira.

“Deri më tani Ushtria ka operuar me 100 ushtarë dhe dy helikopterë të ushtrisë MI-8/17, të cilët janë angazhuar në lokacione sipas udhëzimeve të Qendrës për Menaxhimin e Krizave dhe me lëshimin e më shumë se 150 tonë ujë dhe me angazhim aktiv në terren, ato kontribuojnë në lokalizimin e zjarreve. Në të njëjtën kohë, pjesëtarët e WING të aviacionit koordinojnë fluturimet e helikopterëve nga Turqia, Sllovenia, Serbia dhe Mali i Zi”, njofton Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë.

BE-ja dje iu përgjigj me shpejtësi kërkesës urgjente të qeverisë së Maqedonisë së Veriut për ndihmë në përpjekjet e saj për të luftuar zjarret e mëdha duke aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së (MMCBE), thanë nga Delegacioni i BE-së. Nëpërmjet këtij Mekanizmi dhe falë mbështetjes së vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve pjesëmarrëse në MMCBE, BE-ja arriti me shpejtësi të mobilizojë një helikopter nga Serbia, dy helikopterë nga Sllovenia, dy aeroplanë dhe një helikopter nga Turqia, një aeroplan nga flota zjarrfikëse e shpëtimit të BE-së nga Kroacia dhe një aeroplan nga Rumania.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut  ka marrë vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e vendit.

Armata e Maqedonisë së Veriut (ARM)Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMVZjarrZjarrfikës