Antikorrupsioni: Kur kërkuam të ndiqet penalisht Merko për keqpërdorim financiar, Prokuroria e hodhi poshtë iniciativën

Komisioni për Antikorrupsion në vitin 2019-të kërkoi që kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko të ndiqet penalisht për shpërdorim financiar të kontstatuar në hetimin e tyre, por edhe nga revizorët shtetërorë, megjithatë Prokuroria dy vite më pas këtë iniciativë e hedhin poshtë. Pasi Merko u shpall nongrata, nga Antikorrupsioni nuk kanë koment, por thonë se duhet të veprojnë institucionet, njofton Portalb.mk.

“Në vitin 2019-të ne hapëm lëndë dhe e dorëzuam iniciativë në Prokurorinë Publike, megjithatë pas disa kërkesave për informatë kthyese nga Prokuroria Publike Strugë ose s’më kujtohet nëse ka qenë edhe Prokuroria për Krim të Organizuar, madje në vitin 2021 morëm informatë kthyese se iniciativa jonë hidhet poshtë”, thotë për Portalb.mk anëtarja e Komisionit Shtetëror për Parandalim dhe Mbrojtje nga Korrupsioni, Katica Nikollovska.

Të pyetur se si e vlerësojnë shpalljen e Merkos nongrata për shkak se “SHBA ka dëshmi për përfshirjen e tij në korrupsion madhor”, nga Antikorrupsioni s’kanë koment.

“Në lidhje me shpalljen “nongrata” të Merkos nga SHBA-të, ne si Komision për Antikorrupsion këtu nuk kemi kurrfarë komenti. Ajo është ambasadë e huaj, shtet tjetër”, thotë Nikollovska.

Në lidhje me atë se si është e mundur që SHBA-ja ka informata për përfshirje në korrupsion të Merkos, ndërkaq në RMV ndër vite institucionet e vendit nuk reagojnë, Nikollovska thotë se ato që i kanë mjetet në dorë nuk e çojnë punën deri në fund.

“Edhe në shtetin tonë dikush ka vepruar, ja ne kemi vepruar, por ai që i ka mjetet në dorë, dukshëm Prokuroria Publike nuk ka vepruar deri në fund. Ja, Ambasada e Amerikës në njëfarë mënyre e ka treguar atë ndikim dhe kanë pasur mekanizma të tyre dhe e kanë dëshmuar. Tani edhe ne kemi institucione Këshill për Prokuror Publik, kemi edhe mekanizma tjerë dhe prokurori tjera të cilat mund të ngritin ndjekje penale në radhët e tyre dhe le të shohin kush pse nuk punon”, shprehet Nikollovska.

Dje, kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se organet hetuese dhe gjyqësore duhet që të pyeten se si SHBA ka ardhur deri tek informatat se kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko është i përzier në korrupsion madhor ,ndërkaq ata nuk kanë arritur deri tek ato të dhëna në periudhën e kaluar

Portali SDK shkruan se për kontroll të hetimeve kundër Merkos, përgjegjës ka qenë Xhelal Bajrami, të cilin e ka pasur bashkëpartiak, ndërkaq tani është prokuror në prokurorinë republikane.

Sipas SDK-së, përveç tij, përgjegjësi për ndikim ndaj hetimeve për korrupsion kundër Merkos, ka edhe prokurori i lartë i Manastirit. Në atë vend është prokurori Peco Veziroski.

Nuk dihet nëse ka pasur ndonjëherë gjykim kundër Merkos. Koordinator i Gjykatës Themelore të Strugës është Milazim Mustafa, anëtari i Këshillit Gjyqësor.

20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramiz Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Ky vendim, thuhet më tej në njoftim, dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit. Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre përfundon njoftimi i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Gjatë ditës së djeshme, koordinatori për antikorrupsion në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew, në një intervistë për redaksinë shqiptare të “Zërit të Amerikës” tha se nuk mund të ndahen më shumë detaje se pse Merko është futur në listën e zezë amerikane. Vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se Merko ishte i përfshirë në korrupsion masiv. Dhe kështu sipas ligjeve, kur sekretari vjen në atë përfundim, përcaktimi i dikujt është ligjërisht i detyrueshëm.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.

Ambasada e Amerikës (SHBA) në RMVKomisioni për Antikorrupsion RMVKorrupsion - RyshfetRamis MerkoShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)
Comments (2)
Add Comment