ANALIZË: Për herë të parë këtë vit, rënia e kamatave në maj për depozitat e reja të kursimeve, kamata e kredive për qytetarët është “ngrirë” 

Në maj, për herë të parë gjatë këtij viti, bankierët i ulën kamatat për depozitat e kursimeve të pranuara rishtazi. Është “ndërprerë” trendi i rritjes së kamatave për depozitat e reja të qytetarëve dhe të kompanive. Nga ana tjetër, bie në sy “betonimi” tre mujor i kamatave për kreditë e reja për amvisëritë. Tendenca të tilla ishin paralajmëruar tashmë nga bankierët – viti filloi me kushte më të rrepta të kreditimit, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Kamatat e kredive dhe të depozitave të kursimit…

Për herë të parë këtë vit, në muajin maj, krahasuar me prillin, u regjistrua rënie e kamatave për depozitat e kursimeve të pranuara rishtazi. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, kamata mesatare për depozitat e pranuara rishtazi në maj ishte 2,36%, që është për 0,18% më e ulët se në muajin prill. Për herë të parë që nga fillimi i vitit, bankierët arritën të ulin kamatat për depozitat e reja të kursimeve të qytetarëve dhe të kompanive.

“Përqindja e kamatës për kreditë e reja të miratuara për sektorin e korporatave, këtë muaj është 5,16% dhe në bazë mujore është ulur për 0.41 për qind. Ky ndryshim në rënie është rezultat i uljes së përqindjes së kamatave për kreditë në denarë me klauzolë valutore. Krahasuar me majin e vitit të kaluar, kjo përqindje e kamatës është ulur me 0.20 për qind” – thuhet në Raportin e ri të BPM-së. Kamata e totalit të depozitave vazhdon të rritet, duke arritur në 1,86%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Hendeku midis kamatave për kursimet dhe kredive mbetet ende në nivel të konsiderueshëm. Në muajin maj, kamata në totalin e kredisë arriti vlerën 5,49%, me një rënie mujore prej 0,02%. Raporti i ri bankar i BPM-së tregon se kamatat për kreditë kanë ende trend rënës. Në muajin maj, si në nivel mujor ashtu edhe në atë vjetor, vërehet një rënie e kamatave për kreditë e reja të miratuara.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sipas informacioneve nga bankat, kamatat për kreditë e reja të miratuara si për amvisëritë ashtu edhe për kompanitë janë në rënie, por kamata për totalin e kredive për qytetarët ka ngecur (pa ndryshime) në muajt mars, prill dhe maj, duke ruajtur nivelin 5,65%.

Bankat vendase me kapital të huaj “mbajnë” 71% të depozitave të kursimeve…

Në “Raportin mbi rreziqet në sistemin bankar në tremujorin e parë të vitit 2024” të BPM-së, vihet në dukje se kreditë dhe depozitat janë të përqendruara në banka me kapital të huaj ose kryesisht të huaj – pothuajse 83% e borxhit kreditor të qytetarëve dhe të sektorit të korporatave dhe pothuajse 71% e depozitave të kursimeve janë në banka me aksionerë kryesisht të huaj.

Në totalin e “tortës së kredive” pjesën më të madhe prej 21,1% e zënë bankat/banka me pronarë grekë, me 17,8% është Sllovenia, ndërsa në vendin e tretë me një përfshirje prej 15,2% është një grup bankar në pronësinë dominuese të aksionerëve austriakë. Në totalin e tregut të kredive bankare, pjesëmarrja e bankave në pronësi të aksionerëve vendas është 17,2%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, 70,8% e totalit të depozitave (amvisëritë, sektori i korporatave, totali i sektorit jofinanciar) gjenden në banka me kapital të huaj dominues, me ç’rast pjesa më e madhe e depozitave të kursimeve, sikurse edhe e kredive, janë në bankat me kapital dominues grek me një pjesëmarrje prej 18,0%, më pas një bankë në pronësi të aksionerëve nga Sllovenia me përfshirje prej 16,9% dhe në vendin e tretë është një bankë me pronësie dominuese të aksionerëve turq me një pjesëmarrje ”në tortën” e depozitave prej 12,1%. Nga totali i bazës së depozitave, 29,2% është në një bankë në pronësi të aksionerëve vendas.

Në maj të këtij viti, vlera e totalit të kredive ishte 7.459.000.000 euro. Amvisëritë vetëm në bazë të kredive konsumatore kanë pasur borxh në vlerë prej 1.981.000.000 euro. Totali i kredive në muajin e pestë të këtij viti arriti në 8.825.500 euro, me një rritje vjetore prej 8,2%. Për shkak të rreziqeve të jashtme ende të pranishme, por edhe për shkak të procesit të dyfishtë zgjedhor në vend që nga fillimi i vitit, është vërejtur një përmbajtje për marrjen e kredive të reja për shkak të pritjes për të parë se cilat do të ishin rezultatet e zgjedhjeve.

Analiza Ekonomike e PortalbitEkonomia e shtetit - Lajme ekonomiKamatë/interesKredi bankare