Në vend janë të regjistruara 159 ndërmarrje publike, të cilat janë themeluar nga nivele të ndryshme të pushtetit, Kuvendi, Qeveria, komunat dhe Qyteti i Shkupit. Pjesa më e madhe ose 143 ndërmarrje janë themeluar nga Qyteti i Shkupit dhe komunat, 13 janë nën pronësi të Qeverisë, kurse 3 ndërmarrje publike janë themeluar nga Kuvendi. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, një pjesë e madhe e NP-ve në vend gjenerojnë borxhe që nuk mund t’i shlyejnë në kohë. Vitin e kaluar në të gjitha NP-të në vend kanë punuar 16.887 persona, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Ndërmarrjet publike – punëdhënësit “më të mëdhenj” …
Ato përfshijnë një numër të madh punonjësish, ofrojnë shërbime, mirëpo nuk janë financiarisht të qëndrueshme. Të dhënat e reja të analizuara nga “Portalb”-i, e që mbështeten në disa burime, tregojnë se një pjesë e madhe e ndërmarrjeve publike në vend punojnë me humbje, nuk mund t’i shlyejnë borxhet e tyre, gjenerojnë detyrime të reja dhe punojnë me humbje që amortizohen me paratë buxhetore nga pushteti qendror dhe lokal. Por, nga ana tjetër, NP-të janë një nga punëdhënësit “më të mëdhenj”.
Sipas të dhënave nga Regjistri i Punonjësve në Sektorin Publik në vitin 2023, me mbi 500 punonjës, funksionojnë disa NP si p.sh. Transmetuesi Kombëtar RTM, Pyjet Kombëtare, Hekurudhat – Infrastruktura, NPT, Higjiena Komunale, Ujësjellësi dhe Kanalizimi dhe të tjera.
Është interesante të theksohet se në NP-të në vend, 81,94% e të punësuarve janë burra, kurse pjesa e mbetur prej 18,06% janë gra. Në nivel të gjithë sektorit publik, mosha mesatare më e lartë e të punësuarve është regjistruar pikërisht te NP. Rreth 75,4% e të punësuarve janë mbi 46 vjeç.
“Mund të vërehet se mosha mesatare më e lartë prej 49,3 vjeç është te ndërmarrjet publike”- thuhet në raport.
Pothuajse 71% e të punësuarve nuk e kanë deklaruar përkatësinë etnike ose janë përgjigjur se i përkasin ndonjë bashkësie “tjetër” etnike, pa specifikuar se cilës. Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në të gjitha NP-të, pothuajse 18% janë maqedonas etnikë, 0,66% janë deklaruar si shqiptarë etnikë, 4,69% romë, 2,34% turq, 1,30% janë deklaruar si serbë, 1,63% vllahë dhe 0,41% boshnjakë.
NP-të në “rrethin vicioz të borxhit” – disa prej tyre nuk mund t’i paguajnë rrogat pa subvencione!
NP-të e mëdha të themeluara nga Qeveria, sipas të dhënave të reja të Ministrisë së Financave, edhe vitin e kaluar e kanë përfunduar me humbje. Në veçanti, NP “Hekurudhat – Infrastruktura” në tremujorin e fundit të vitit 2023 paraqit një minus prej gati 1,6 milion euro, NP për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale kishte humbje prej 1,5 milion euro, NPR RTM në tremujorin e fundit paraqiti një minus prej 3 milion euro, NP Sistemi kolektor kishte humbje prej 742.000 euro.
Një pjesë e madhe e ndërmarrjeve publike në nivel qyteti dhe lokal vazhdojnë të mbështeten në “transferimet” në formë subvencionesh, të cilat llogariten në shuma milionëshe në vit. Prej shumë vitesh NP-të janë renditur lart në listën e “borxhlinjve” të Ministrisë së Financave. Vitin e kaluar, në listën e borxhlinjve, me detyrime të prapambetura, por të papaguara, tre NP u renditën lart në dhjetëshen e parë: HM “Hekurudhat – Infrastruktura” me detyrime në vlerë prej 41 milionë euro, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup me borxh prej gati 9,1 milionë euro dhe NP “Ujësjellësi “- Kumanovë me shumën e borxhit prej 9 milionë euro. NP-të në nivel qendror dhe lokal, së bashku me kompanitë shtetërore, janë sektori me borxhet më të mëdha.
Numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve publike është 159, prej të cilave 115 janë ndërmarrje publike për punë komunale, 8 janë ndërmarrje publike për bujqësi dhe pylltari, 17 janë ndërmarrje publike transportuese, 2 ndërmarrje publike nga veprimtaria e informimit, 1 ndërmarrje publike nga veprimtaria e shoqërisë informatike dhe 15 ndërmarrje publike nga veprimtari të tjera.
Nga gjithsej 159 ndërmarrje publike, 13 janë themeluar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, 3 janë themeluar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, kurse numri më i madh, gjegjësisht 143 janë themeluar nga Qyteti i Shkupit dhe komunat.