ANALIZË: Kredia hungareze dhe gjendja e borxhit të RMV-së (Infografik)

Në vitin 2024 pritet një hyrje buxhetore prej 896 milionë eurosh nga huamarrja në tregun e brendshëm dhe gati 725 milionë euro nga huamarrja jashtë vendit – dhe për të dyja arsyet, huamarrja do të jetë më e lartë se parashikimi i mëparshëm buxhetor. Në derën e financave publike po “troket” kredia hungareze prej 500 milionë eurosh, e cila sipas paralajmërimeve të qeverisë do të shpenzohet vitin e ardhshëm, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Me një borxh publik që i afrohet 9 miliardë eurove dhe një borxh të jashtëm bruto deri në 11,8 milionë euro, shteti me një zgjidhje ligjore siguroi terrenin për kredinë e re nga Hungaria në vlerë pre 500 milionë euro.

“RMV-ja ka mundësinë që me kushte jashtëzakonisht të favorshme të sigurojë mjete për financimin buxhetor dhe financimin e qëllimeve të përgjithshme në përputhje me ligjet në fuqi, duke vendosur një bashkëpunim të veçantë ekonomik me Hungarinë. Qëllimi i sigurimit të kësaj kredie është avancimi i bashkëpunimit ekzistues dhe vendosja e një bashkëpunimi të veçantë ekonomik me Hungarinë” – shkruan në Propozim-ligjin për marrjen e kredisë.

Disa nga ekonomistët kanë vlerësuar tashmë se kjo kredi e re do të ndikojë në pozicionin e borxhit të vendit. Se si do të lëvizë borxhi publik dhe borxhi i jashtëm bruto do të varet nga shuma e kredive dhe huave që do t’u kthehen në periudhën e ardhshme financuesve vendas dhe të huaj. Përveç që do të marrim kredinë hungareze prej 500 milionë eurosh, është paralajmëruar edhe një tjetër hua, qoftë nga financierët ndërkombëtarë, apo sërish nga Qeveria e Hungarisë. E gjithë kjo paketë huamarrjesh sigurisht që do të ndikojë në gjendjen e borxhit të shtetit. Edhe në buxhetin e ribalancuar të vitit 2024, dokumenti i parë buxhetor i nënshkruar nga qeveria e re, thuhet se borxhi publik, si përqindje e PBB-së, do të rritet.

“Sipas projeksioneve të fundit të Ministrisë së Financave, borxhi i shtetit në fund të vitit 2024 do të jetë 57,1% e PBB-së, ndërsa borxhi publik pritet të jetë në nivelin 66,3%”- shkruan në buxhet.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Me rebalancin e buxhetit nga huamarrja nga burime të brendshme sivjet, priten të hyra në vlerë prej 896.400.000 euro, shumë që është për 250.000.000 më e lartë në krahasim me buxhetin para rebalancit, ndërsa huatë nga burime të huaja këtë vit do të jenë 724.800.000 euro, që është gjithashtu shumë më e lartë se parashikimi i mëparshëm buxhetor.

Borxhi publik prej 8,8 miliardë eurosh…

Borxhi i jashtëm bruto mbetet mbi kufirin prej 80% të PBB-së. Edhe sipas të dhënave të reja të Bankës Popullore, në tremujorin e parë ekonomik, totali i borxhit të jashtëm bruto arriti në 11,78 miliardë euro, ose për vetëm tre muaj ai është rritur në vlerë absolute për 118 milionë euro, nga të cilat 79 milionë euro janë borxh i sektorit privat, kurse 39 milionë euro borxh i ri shtetëror. “Portalb”-i bëri një analizë krahasuese të borxhit të shtetit, e cila tregoi se për herë të parë borxhi i jashtëm bruto kalon 80% të PBB-së në vitin 2020 dhe kjo situatë është ruajtur deri tani.

“Treguesit për borxhin e jashtëm të ekonomisë së brendshme janë në zonën e sigurt. Përveç treguesit për pjesëmarrjen e borxhit të jashtëm bruto në PBB, i cili vazhdon të jetë në zonën e borxhit të lartë, të gjithë treguesit e tjerë të aftësisë paguese dhe të likuiditetit tregojnë për nivel të ulët të borxhit të ekonomisë së brendshme”- thekson BPM-ja në Raportin e fundit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në gjysmën e parë të vitit, borxhi publik ka kaluar 8,8 miliardë euro ose 60,5% të PBB-së. Sipas përllogaritjes së “Portalb”-it, pjesa më e madhe ose 61,3% është borxh ndaj vendeve të huaja, ndërsa pjesa tjetër prej 38,7% është borxh ndaj kreditorëve vendas.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Vetëm këtë vit, për shkak të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm, shteti duhet të paguajë 634.200.000 euro. Këtë viti maturojnë për shlyerje obligacionet e brendshme me afat maturimi prej 3,5 dhe 10 vjet në vlerë prej afro 300.000.000 euro. Një pjesë e borxheve të reja të paralajmëruara do të dedikohen për shlyerjen e detyrimeve të papaguara, duke përfshirë edhe eurobondin në vlerë prej 500.000.000 euro, i cili është emetuar në vitin 2018 dhe ka afat për shlyerje në janar të vitit 2025.

Analiza Ekonomike e PortalbitBorxh - BorxhmarrjeBorxhi publik i shtetit RMVEkonomia e shtetit - Lajme ekonomiKredi bankare